Nesër Kuvendi i Kosovës voton presidentin, opozita e vendosur të pengojë zgjedhjen e Thaçit
Kuvendi i Kosovës të premten ka caktuar seancën për zgjedhjen e presidentit të ri...

Siç ka bërë të ditur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në garë për postin e presidentit janë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe bashkëpartiaku i tij, Rafet Rama.
“Të premten, në orën 11, Kosova do të kalojë një nga momentet më të veçanta të ndërtimit të vet institucional. Kemi zgjedhjen e kryetarit të shtetit”, ka deklaruar Veseli.
Por, më shumë se kundërkandidati, i cili llogaritet kandidat formal, shqetësim për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit paraqet opozita e cila ka paralajmëruar protesta para Kuvendit.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se tani nuk është koha për karrierë personale. “Të gjithë politikanët e Kosovës, edhe Thaçi, e di se tani nuk është momenti më i mirë për një karrierë politike. Është i pakuptimtë insistimi i tij për t’u zgjedhur president nga një Parlament i cili një kohë të gjatë është i bllokuar dhe i cili është bërë edhe arenë e kundërshtimeve çfarë kanë ndodhur”.
Votimi duhet të parandalohet në çdo mënyrë”, ka deklaruar Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, nga kampi i opozitës në sheshin Skënderbe në Prishtinë, i ngritur me kërkesën për dorëheqjen e Qeverisë dhe kundërshtimin e zgjedhjes së Thaçit president.
“Jam i bindur që Vuçiqi është duke ia rritur kërkesat Thaçit për votën e deputetëve të listës ‘Sërbska’. E po ashtu jam i bindur që Thaçi nuk mund të bëhet president pa Vuçiqin. Nëse Thaçi hyn në sallë dhe i ka votat për president, kjo do të thotë se ai e ka bërë marrëveshjen me Vuçiqin. Çka i ka dhënë Vuçiqit do ta marrim vesh më vonë”- tha Albin Kurti nga Vetëvendosje.
E ambicie për të përfituar nga kjo situatë ka shprehur Lista Serbe. Kryetari i saj, Sllavko Simiq, ka deklaruar se “Lista Serbe ka kërkesa, të cilat dalin nga Marrëveshja e koalicionit me PDK-në dhe LDK-në, që lidhen me Marrëveshjet e Brukselit, për sa i përket interesit të komunitetit serb të Kosovës. Nëse kjo nuk bëhet, nuk është e sigurt nëse Lista Serbe do të votojë për presidentin dhe nëse do të marrë pjesë fare në seancën e thirrur për të premten, ku duhet të zgjidhet presidenti i Kosovës”, ka deklaruar, Simiq.
Kundërshtime për zgjedhjen e Thaçit president ka pasur edhe nga deputetët e koalicionit qeveritarë.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka bërë të ditur se ai nuk do të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet zgjedhja e Thaçit president, e madje ka përmendur edhe dhjetë arsye pse kjo nuk duhet të ndodhë, në mesin e të cilave edhe atë se Thaçi nuk është figure unifikuese, Kosova është zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar në kohën kur Thaçi ishte kryeministër, si dhe dështimin në sjelljen e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në UNESKO.
Ndërsa zërave kundër i janë bashkangjitur edhe disa struktura të LDK-së, me një protestë para selisë së partisë. Por, struktura të PDK-së kanë publikuar se po përgatiten që nesër të festojnë zgjedhjen e liderit të tyre për president të Kosovës.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti mund të zgjidhet në dy votimet e para me dy të tretat e votave, ndërsa nëse nuk ndodh kjo, në votimin e tretë nevojitet shumicë e thjeshtë prej 61 votash. (Gyltene Sinani, TVM2)
