Maqedoni

Dëshmi të reja për “Lagjen e trimave”, dëshmuan familjarët e të akuzuarit Fejzullahu

25.02.2016 17:08

Tre dëshmi të reja nga gjithsej 5 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria u dëgjuan sot në Gjykatë për rastin “Lagjja e trimave”...

Për ngjarjet e nëntë majit rrëfyen bashkëshortja dhe bija e të akuzuarit Fadil Fejzullahu, Fikrie Fajzullahu dhe Artizana Fejzullahu, si dhe Fize Memishi, banore e Kumanovës.
 
Familjarët e Fadil Fejzullahut, banorë të Kumanovës, thanë se mëngjesin e nëntë majit, kur policia ka bastisur shtëpinë e tyre, që gjendet afër Lagjes së trimave, rrugës për në fshatin Ramanli, kanë qenë duke fjetur.
 
Policia ka hyrë brenda dhunshëm, duke thyer derën dhe më pas ka malltretuar burrat e shtëpisë në kërkim të Fadil Fejzullahut, duke mos e gjetur atë në shtëpi.
 
Nënë e bijë thanë se nuk kanë pasur njohuri për vendndodhjen e Fadilit dhe hodhën poshtë akuzat për lidhje të tij me pjesëtarë të grupit. Prokurorët e lëndës me kundërvlerësime se policia ka bastisur shtëpinë sipas proceduarve gjyqësore me indikacione paraprake se Fadil Fejzullahu ka marrë pjesë direkte në aktivitetet e grupit për të shkaktuar sulm, duke rrezikuar sigurinë e shtetit.        
                                                  
“Sipas informacioneve që kemi pasur paraprakisht, një pjesë e këtij grupi të armatosur ka qenë e vendosur atje. Policia ka shkuar me fletëarrest për bastisje që të kërkojë pjesëtarë të këtij grupi dhe në kërkim të armëve”- deklaroi prokurorja, Villma Ruskovska.
 
Dëshmitarja, Fize Memishi, tha se nuk ka njohuri për grupin. Nga dhënia e dëshmisë u lirua Teuta Lutfiu me kërkesë të palës mbrojtëse, për shkak të gjendjes së rënduar psikike. Ndërkaq, dëshmitari, Shaban Jashari, nuk u paraqit në Gjykatë.
 
 “Ajo kur ka dhënë dëshmi në fazën e hetuesisë, gruaja ishte në rregull dhe çka ka ndodhur në ndërkohë Prokuroria nuk mund ta dijë, pasi që kanë kaluar afër 10 muaj”- theksoi prokurorja, Villma Ruskovska.                                                          
 
Avokatët mbrojtës thonë se dëshmitë e sotme janë në favor të të akuzuarve. Avokati, Naser Raufi, nuk përjashton mundësinë që në fazat e mëtutjeshme të procesit gjyqësor për dëshmitarë të thërrasë edhe figura politike të cilët kanë qenë në kontakt me grupin e armatosur.      
                                                                            
“Edhe ne do të propozojmë si dëshmitarë bile edhe persona që kanë të bëjnë me postet politike. Për dëshmitarët që i propozoi Prokuroria ishin edhe disa dëshmitarë që ishin familjarë të të akuzuarve, por të përsëris se këto deklarata të këtyre dëshmitarëve ishin në favorin tonë absolutisht, pasi që ata dëshmuan që traumat që i kanë pasur dhe ditën e sodit që i kanë është rezultat prej veprimit të paligjshëm të MPB–së dhe njësisë speciale”- u shpreh avokati mbrojtës, Naser Raufi. 
 
Gazetarët ndoqën seancën gjyqësore nga biblioteka e Gjykatës nëpërmjet video-lidhjes, ndërkaq familjarët e të akuzuarve edhe sot u privuan nga kjo e drejtë. Ata mbetën jashtë, larg godinës së Gjykatës, e cila ishte e rrethuar nga forca të shumta policore gjatë gjithë kohës, deri në momentet kur të akuzuarit u larguan nga Gjykata. 
 
Seanca e radhës për ngjarjet e nëntë dhe dhjetë majit në Lagjen e trimave  pritet të mbahet më 2 mars.
 
MERAL ISMAILI