Maqedoni

Studentët prezantuan projektet inovative para përfaqësuesve të Google-s

25.02.2016 17:22

35 studentë nga universitet e vendit dhe rajonit morën pjesë në prezantimin e projekteve të tyre inovative teknologjike para përfaqësuesve të kompanisë së njohur botërore, Google...

Ky projekt është realizuar për herë të parë në Maqedoni nga Kompania Google në bashkëpunim me UT-në. Të drejtën për të organizuar një eveniment të tillë e ka pasur fituesja e bursës së Kompanisë Google në vitin 2012, Merita Kasa-Halili, e cila theksoi se të drejtë për të aplikuar kanë pasur të gjitha universitet në Ballkan e më gjerë, por deshi fati që Universitet i Tetovës të fitojë dhe të jetë nikoqir dhe organizator i këtyre projekteve.
 
“Aplikimi për projektin ishte i hapur për të gjithë universitetet dhe studentët, mirëpo në këtë  aplikim ishte fati ynë që të fitojmë ne, gjithashtu me mbështetjen e UT-së, ku mbahet kjo garë, participuan shumë studentë, pasi ishte edhe ideja e gjithë këtyre aplikimi, që të mbajmë një garë për studentët, që të mund të promovojnë idetë e tyre”- deklaroi organizatorja e projektit, Merita Kasa-Halili.
 
“Është hera e parë që kompania gjigante botërore e teknologjisë mbështet një projekt të tillë sigurisht në bashkëpunim me UT-së. Studentë të universiteteve të ndryshëm të qyteteve të rajonit patën mundësinë që të prezantojnë projektet e tyre inovative softuerike, por edhe të robotëve të ndryshëm, të cilët i kanë ndërtuar dhe sipas asaj që pamë ishin projekte mjaftë interesante”- tha profesori universitar, Festim Halili.
 
Edhe prorektori për arsim dhe shkencë në UT, Reshat Qaili, u shpreh se kjo është një mundësi për gjithë studentët.
 
“Ne i mbështesim aktivitetet e tilla përmes organizimit të kësaj natyre, ne njohim më mirë vlerat tona të përbashkëta që posedojmë në shumë lëmi shkencore. Sot universitet dhe kompanitë serioze ndërkombëtare, siç është gjiganti, Kompania e teknologjisë së avancuar, Google, me angazhimet dhe iniciativat e tyre gjithmonë bëjnë përpjekje dhe hapa konkret për të përmbushur objektivat për edukim dhe arsimim”- u shpreh prorektori për arsim, Reshat Qaili.
 
Studentët që fituan bursën sot në këtë projekt do të kenë mundësinë që studimet posdiplomike t’i vazhdojnë falas në UT. Përfaqësuesja nga Google theksoi se është kënaqësi dhe privilegj që të punohet me këta studentë, të cilët pa lodhje punojnë natë e ditë për të mirën e përbashkët të tyre dhe të universitetit që përfaqësojnë.
 
VISAR SADIKI