Maqedoni
Udhëtimi më letërnjoftime në Kosovë, Aliti fton Kuvendin e Kosovës të ratifikojë Marrëveshjen
25.02.2016 17:33
Maqedonia ka ratifikuar marrëveshjen për udhëtim në R. e Kosovës me letërnjoftime, por që dokumenti të hyjë në fuqi pritet që marrëveshja të ratifikohet edhe nga Kuvendi i Kosovës...

Deputetja, Nora Aliti, u ka bërë thirrje deputetëve kosovarë që sa më shpejtë të realizojnë procedurat parlamentare dhe ta ratifikojnë Marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët, me qëllim që qytetarët e dy vendeve të mund të qarkullojnë vetëm me letërnjoftime, një ditë e më parë.
“Kosova këto ditë po ballafaqohet me sfidat e veta politike, por unë apeloj te të gjithë kolegët e mi në Parlamentin e R. së Kosovës që sa më shpejtë ta ratifikojnë këtë marrëveshje, e cila është në të mirën e të gjithë qytetarëve, pasi parasheh kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim. Është një marrëveshje që vendon bazat e Ballkanit të së nesërmes, Ballkanit të integruar mes veti dhe Ballkanit të integruar në NATO dhe BE”- deklaroi deputetja e BDI-së, Nora Aliti.
Marrëveshja mes RM-së dhe R. Kosovës për kushtet e udhëtimit në vendkalimet kufitare të shtetasve të të dyja vendeve u miratua në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e RM-së, më 19 shkurt, ndërsa u ratifikua nga Kuvendi më 22 shkurt.
Vendimi do të hyjë në fuqi vetëm pas ratifikimit të Marrëveshjes edhe nga Kuvendi i Kosovës, dhe shkëmbimi i notave diplomatike nga ministritë e jashtme të vendeve përkatëse.
SHPËTIM NUREDINI
