Maqedoni
LSDM dhe VMRO, përplasje për vendimin e kushtetueses për faljen
25.02.2016 17:36
LSDM-ja opozitare sot publikoi emrat e gjykatësve të kushtetueses të cilët votuan pro vendimit për ndryshimet ligjore në Ligjin për amnisti...

Bëhet fjalë për gjykatësit: Elena Gosheva, Nikolla Ivanovski, Vlladimir Stojanovski, Vangelina Markudova dhe Jovamn Josifovski, të cilët, sipas LSDM-së, në vend se të mbrojnë kushtetutën, të instaluar në gjyqësi në baza partiake e shkatërrojnë funksionimin e të drejtës dhe shtetit të drejtë.
Zëdhënësi i kësaj partie, Petre Shilegov, tha se i gjithë operacioni për ndryshimin ligjor është bërë në procedure të shpejtë, për 10 ditë.
“Iniciativa deri tek Gjykata Kushtetuese është dorëzuar në 5 shkurt. Lënda ka filluar të punohet më 8 shkurt. Letra (DOPIS) në Kuvend është dërguar më 10 shkurt, ndërsa mendimi është marrë më 11 shkurt. E gjithë lënda është kompletuar më 18 shkurt, ndërsa vendimi për pranimin e iniciativës është sjellë dje, pa u mbushur 20 ditë nga dita e dorëzimit. Në procedurë normale për këtë do të duhet të kalonin më shumë muaj”- deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.
Shilegov shtoi se partia e tij nuk do të lejojë që as të mbrohet krimi zgjedhor, por as të ketë mundësi për t’u bërë falsifikë zgjedhore në periudhë të ardhshme. Ndërkaq, nga VMRO-DPMNE thonë se qëndrojnë pas ndryshimeve ligjore që të mos lejohet falja për rastet e të dënuarve lidhur me zgjedhjet, pedofilinë dhe të ngjashme, pasi vlerësojnë se secili që ka bërë krime të tilla duhet të përgjigjet.
“VMRO–DPMNE qëndron në atë se secili që ka bërë çfarëdolloj krimi duhet të përgjigjet. Ky qëndrim ka qenë edhe në kohën kur krimineli i akuzuar, Zoran Zaev, është falur nga ana e Branko Crvenkovskit. Opinioni, përmes mediave, para disa ditësh dëgjoi se PSP pa bazë ka kërkuar edhe lëndën për pedofili, që udhëhiqet kundër pjesëtarëve të familjes së Zoran Verushevskit, i dyshuar në rastin ‘Puç’ dhe bashkëpunëtor i afërt i Zoran Zaevit. Për atë, VMRO-DPMNE dyshon se LSDM është ajo që ka interes më të madh për një vendim të tillë”- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas partisë qeveritare, opozita po e manipulon opinionin se VMRO- DPMNE qëndron pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
ERSAN PAJAZITI
