Maqedoni

KShZ, në fazën e përgatitjes së të dhënave për analizë

25.02.2016 18:44

Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalosi punën e ekipit të IT ekspertëve për procesin e të dhënave për përgatitjen e listës zgjedhore...

Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpalosi punën e ekipit të IT ekspertëve  për procesin e të dhënave për përgatitjen e listës zgjedhore, normalizimin dhe pastrimin e bazave të të dhënave të marra nga 11 institucionet shtetërore. Sipas tyre, ekipi i ekspertëve është duke përfunduar verifikimin e të dhënave të marra nga institucionet partnere.
 
“Tash për tash jemi në përgatitjen e të dhënave për analizë, që do me thënë marrjen e analizave nga institucionet e ndryshme partnere ku duhet t’i normalizojmë të dhënat, sepse të dhënat që i kemi marrë janë në formate të ndryshme, pas së cilës mund të bëhet kryqëzimi i  të dhënave. Validiteti dhe verifikimi i të dhënave është pothuajse gati”- deklaroi konsulenti në IFES, Majkël Burke.
 
Anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva, theksoi se duhet të mbahet kujdes në validitetin  e të dhënave që janë marrë nga institucionet shtetërore partnere, ndërkaq Igor Milev nga radhët e LSDM-së thotë se për mënyrën dhe përgatitjen e validitetit të të dhënave “dritë jeshile” ekspertëve ju ka dhënë KShZ-ja.
 
“Duhet të vërtetohet kualiteti i të dhënave nga institucionet ku janë dhënë dhe kjo të bëhet më së voni për dy ditë”- tha anëtarja e KShZ-së, Silvana Boneva.
 
“Ne kemi miratuar njëzëshëm procedura për përgatitjen dhe pastrimin e të dhënave dhe validitetin. Këto procedura janë propozuar nga IT konsultantët dhe ne i kemi miratuar”- theksoi anëtari i KShZ-së, Igor Milev.
 
Subhi Jakupi theksoi se KShZ-së, në kuadër të kodit zgjedhor dhe planit për azhurnimin e të dhënave, që për bazë kanë MPB, janë precizuar 14 pika që përfshijnë plan për statistikë, analizë dhe kryqëzim të të dhënave, në bazë të së cilës do të identifikohen personat e dyshimtë apo që nuk i plotësojnë kushtet për votë.
 
Bedredin Ibrahimi pohon se KShZ ka punuar intensivisht dhe se janë gati për të filluar me kryqëzimin e të dhënave dhe për këtë janë bërë disa mbrojtje në drejtim të të dhënave, respektivisht, sipas tij, gjithçka duhet të kalojë nëpër  KShZ, me qëllim që të mos të bëhet huti dhe qytetarët t’i besojnë punës së KShZ-së, që janë të parët e demokracisë.
 
Kryqëzimi i të dhënave do të fillojë këtu dhe do të zgjasë prej 7-10 ditë, ndërkaq institucionet kyçe ku janë marrë të dhënat dhe do të kryhet analizat, janë MPB, Fondi për Sigurim Shëndetësor, Agjencia për Punësim dhe Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU