Maqedoni

NATO me patrulla të saj në detin Egje, 800 refugjatë afganë në Tabanoc

25.02.2016 18:51

NATO prej nesër nis me patrulla të saj në detin Egje në kuadër të misionit mbikëqyrës të Aleancës për ballafaqim me fluksin e refugjatëve...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se qëllimi i operacionit të NATO-s në detin Egje është që të zvogëlohet fluksi i refugjatëve dhe migrantëve në Evropë, të cilët vijnë nga Lindja e Afërt.
 
Ai shpjegoi se në qoftë se anijet e NATO-s shpëtojnë njerëz, të cilët kanë rënë në det nga anijet të cilat janë nisur nga Turqia, ata do të kthehen deri në territorin turk. Ai gjithashtu theksoi se do ta përforcojë edhe mbikëqyrjen e kufijve të Turqisë me Sirinë, që t’i ndihmojë Ankarasë në ballafaqimin me krizën e refugjatëve. 
 
“Detyra e NATO-s nuk është që t’i detyrojë anijet me migrantë që të kthehen prej nga kanë ardhur. Ne do të japim informata për gjendjen kritike të situatës, me qëllim që t’ua lehtësojë punën rojeve bregdetare të Greqisë dhe Turqisë, si dhe Fronteksit, që të rritet efikasiteti i misionit”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Ndërsa rreth 800 refugjatë, kryesisht nga Afganistani, tashmë një javë janë ngujuar në qendrën transitore në Tabanoc. Shumica e refugjatëve janë kthyer mbrapsht nga policia serbe, pasi të njëjtit nuk lejohen të vazhdojnë rrugën e tyre për në Evropë.                                   
 
“Nuk e di pse ne të Afganistanit nuk na lejohet të hyjmë në vendet evropiane, ndërsa ata që janë nga Siria dhe Iraku ju lejohet të kalojnë nëpër Serbi, Austri dhe Gjermani. Unë dua të shkoj në Gjermani, sepse atje është gruaja ime”- tha një afgan.
 
“Ne këtu nuk kemi ardhur për të fletë dhe për të ngrënë. Duam dhe patjetër duhet të vazhdojmë rrugën, kemi dokumente, por nuk e di pse ne të Afganistanit nuk na lejohet të kalojmë kufirin”- theksoi një afgan. 
 
“Ne nuk ankohemi për trajtimin në këtë vend. Ankohemi për situatën tonë, sepse nuk është e qartë se çfarë do të ndodh me ne”- tha një afgan.        
                                                          
Ndërkohë, udhëheqësi i kampit në Tabanoc, Goran Stojanovski, theksoi se disa refugjatë nga Afganistani kanë shprehur dëshirë të kthehen në vendet e tyre.  
                                                                       
“Në këtë moment rreth 130 persona janë të interesuar për t’u kthyer në vendet prej nga vijnë ata. Brenda ditës ose nesër do të ju sigurojmë transport që ata të kthehen në vendet e tyre. Këto janë kërkesat e disave personave të Afganistanit dhe ne këtë duhet ta respektojmë”- u shpreh udhëheqësi i kampit, Goran Stojanovski.
 
Ndersa Çekia dhe Austria i kanë ofruar Maqedonisë mbështetje me ushtarët e tyre. 
 
Ndërkohë, nga Gjermania vijnë informacione për ashpërsimin e kritereve për azil. Në pakon e miratuar nga Parlamenti gjerman parashihet procedurë e përshpejtuar për përpunimin e kërkesave për azil, përfshi edhe obligimin për qëndrim të azilkërkuesve në kampet e pranimit, për çka do të hapen edhe 20 qendra pranimi.
 
REJHANE BUSHI-METAJ