Ekonomi

Ekspertët kërkojnë më shumë mbështetje për biznesin vendor

25.02.2016 18:55

Investimet e huaja nuk mund të zëvendësojnë investimet vendore...

Ky është një konstatim në debatin me temë “Efektet e subvencionimit të investimeve të huaja të drejtpërdrejta ndaj ekonomisë së Maqedonisë”.  
 
Ekspertët ekonomik, të pranishëm në debat, sugjerojnë që institucionet shtetërore të jenë transparente në dhënien e subvencioneve për investitorët e huaj, sepse fshehtësia e shumave që u jepet si subvencion krijon hapësirë për dyshime të shumta dhe keqpërdorim nga investitorët e huaj.
 
“Kemi një situatë ku disa kompani vetëm posa t’i shfrytëzojnë beneficionet largohen. Prandaj, unë do të sugjeroja qe tani, përveç efektit kuantitativ, na duhet edhe një analizë cilësore, në kuptimin e asaj se a janë ato sektorë apo forma e vërtetë, apo duhet që të veprojmë në mënyrë më selektive në këtë fushë”- deklaroi profesori universitar, Sasho Arsov.
 
Zëvendësministri plotësues i Financave, Kire Naumov, konsideron se qeveria me lehtësimet tatimore dhe doganore si dhe me subvencionet shtetërore, i avancon investitorët e huaj, përderisa për kompanitë vendore më shpesh flitet për atë se çfarë kredi të volitshëm u sigurohet. 
 
“Për pesë vitet e fundit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë tërhequr kredi prej 350 milionë euro, me normë interesi 5.5 për qind. Me këto kredi dhe jo subvencione, janë realizuar 1,800 projekte dhe janë hapur 6,700 vende pune, dhe kjo është më shumë se 3.187 të punësuar në zonën e lirë ekonomike”- tha zëvendësministri plotësues i Financave, Kire Naumov.
 
Gjatë vitit 2015, eksporti i investimeve të huaja të drejtpërdrejta  në zonat e lira ekonomike ka arritur në 1.5 miliard euro, gjegjësisht neto eksporti arrin në 230 milion euro. Sipas analizave, importi prej 1,370 milionë euro paraqet potencial që kompanitë e Maqedonisë të jenë furnizues të investimeve të huaja të drejtpërdrejta.
 
GAZMEND REXHEPI