Rrëzimi i avionit, presidenti egjiptian flet për sulmin

26.02.2016 13:26

Presidenti i Egjiptit u shpreh se rrëzimi i avionit rus me pasagjerë në Sinai vitin e shkuar ishte akt terrorist, megjithëse nuk tha hapur se u sulmua nga terroristët...

Gjatë një konference në Egjipt, Abdel Fattah al Sisi foli për çështjen dhe e cilësoi atë si një sulm të planifikuar, diçka që autoritetet egjiptiane nuk e kanë pranuar ende.

Agjencitë egjiptiane të lajmeve thonë se kjo është hera e parë që presidenti i vendit pranon se rrëzimi i avionit rus mund të jetë një akt terrorist.

Avioni u rrëzua më 31 tetor të vitit të shkuar me 224 njerëz në bord dhe që të gjithë ata humbën jetën.

Që në ditët para pas incidentit tragjik, fillimisht vendet perëndimore dhe më pas Rusia pranuan se bëhej fjalë për një sulm terrorist. Por, autoritetet egjiptiane vazhdojnë të ngulin këmbë se nuk ka prova për këtë, një përpjekje që sipas analistëve bëhet për të ruajtur industrinë e turizmit që sidoqoftë është dëmtuar rëndë nga ngjarja.

Megjithatë, mesazhi i presidentit Al Sisi vjen si një zbutje e qëndrimit nga ana e autoriteteve egjiptiane që me sa duket po nisin të pranojnë atë që e gjithë bota e di që ka ndodhur.