Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, tensione brenda dhe jashtë kuvendit
26.02.2016 14:23
Në votimin e parë, Hashim Thaçi nuk ka arritur t’i sigurojë 80 votat e nevojshme për president të Kosovës...

Por, derisa në sallën kuvendore po votohej, ka filluar përleshja mes policisë dhe protestuesve, ku është përdorur gaz lotsjellës dhe koktej molotovi. Po ashtu edhe sot nuk mungoi gazi lotsjellës i hedhur nga deputetët e opozitës, pasi ata me fjalimet e tyre paraprakisht shprehën kundërshtimin e tyre për zgjedhjen e liderit të PDK-së, Hashim Thaçin, për president.
“Drenica nuk mbron kur ti e ki keq, Drenica nuk mbron se ti nuk e mbrojte kryetarin e komunës, se sot ai është në burg. Nuk ua mbrojte komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, që është në burg me shumë të tjerë. Jo rrallë herë ky njeri është thirrur në këto vlera. Dua të them që unë të dua ty për president, aq sa të do edhe familja Jashari. Nuk mund të them se të siç të deshi Adem Jashari, se do e merrje si kërcënim”- deklaroi deputeti i VV-së, Regjep Selimi.
Po ashtu në një moment kishte rrezik edhe nga përplasja e protestuesve me një grup të përkrahësve të PDK-së, të cilët me brohoritje pro Thaçit president iu afruan protestuesve të opozitës. Por, policia dhe organizatorët intervenuan shpejtë dhe evituan eskalimin.
Po ashtu deputeti i opozitës, Bali Muharremaj, u arrestua nga policia për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.
Por, deputetët e PDK-së vlerësuan se Hashim Thaçi është kandidat i denjë për postin e presidentit, bazuar në të kaluarën e tij si drejtor politik i UÇK-së dhe ish-kryeministër i Kosovës.
“Kemi të bëjmë me një kandidat i cili për meritat, dëshmimin dhe të gjitha, prandaj për mua dhe për të gjithë është nder dhe kënaqësi e veçantë që të kemi një kandidat të kalibrit të Hashim Thaqit, që të drejtojë apo t’i marrë përgjegjësitë e institucionit të Presidencës për mandatin 5-vjeçar”- theksoi nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci.
Për zgjedhjen e presidentit në dy rrethet e para duhet që njëri nga kandidatët, Hashim Thaçi apo Refet Rama, të merr 80 vota, ndërsa në rrethin e tretë mjaftojnë 61 vota të deputetëve. Por, a do të ketë sot Kosova presidentin e ri apo do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, kjo varet nga epilogu i votimit të sotëm të Kuvendit të Kosovës.
GYLTENE SINANI
