Në Operën dhe Baletin e Maqedonisë fëmijët shqiptarë shfaqen do ta ndjekin në shqip
Fëmijët shqiptarë prej të hënën do të kenë mundësi që shfaqjen e famshme operistike për fëmijë Kling–Klang në Operën dhe Baletin e Maqedonisë për herë të parë ta ndjekin në gjuhën shqipe...

Në këtë shfaqe fëmijët me pjesëmarrjen e tyre aktive do të kenë mundësi të njihen drejtpërsëdrejti me instrumentet muzikore, të cilëve përmes tregimeve do t’u prezantohet muzika si fenomen.
“Qëllimi është që fëmijët, si kategori më e re e qytetarëve, t’i afrohen sa më tepër muzikës, tek ata ta ngremë ndjenjën për muzikë, për estetikën muzikore…Gjithashtu në bashkëpunim me Komunën e Çairit, përkatësisht në bashkëpunim me kopshtin për fëmijë, në ditën e hënë 200 fëmijë do ta vizitojnë këtë shfaqje, gjithashtu jemi në kontakt me tetë shkolla në Çair që fëmijët prej moshës 1 deri më 8 vjet ta vizitojnë këtë shfaqje interaktive”- deklaroi sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi.
“Një gjë që më ra në sy ishte se nxënësit shqiptarë nuk kanë pasur deri më tani mundësi të ndjekin shfaqje në gjuhën shqipe dhe jam informuar se ka pasur interes të madh për shfaqje të baletit dhe gjuha ka qenë pengesë që ata të ndjekin shfaqjet operistike”- tha drejtori i Operës dhe Baletit të Maqedonisë, Igor Durllovski.
Drejtoresha e Kopshtit “Fidani”, Rabije Loku, tha se kanë pasur mungesë të madhe të shfaqjeve të tilla në gjuhën shqipe.
“Shpresojmë që të gjithë fëmijët do të jenë të kyçur në këtë shfaqje, është një numër mjaftë i madh, por kjo nuk do të thotë që vetëm fëmijët që janë në kopsht të vijnë të jenë ndjekës të kësaj muzike, ashtu që është ftesë e hapur për secilin prind të vijnë dhe ta vizitojnë shfaqjen e baletit ‘Kling-Klang’”- theksoi drejtoresha në Kopshtin “Fidani”, Rabije Loku.
“Është një plus shumë i madh për shkak se të gjithë fëmijët e shkollave fillore si dhe kopshteve mund të vijnë dhe ta vizitojnë shfaqjen, ku do të kenë mundësi t’i njohin instrumentet harkore”- u shpreh solistja në shfaqjen operistike për fëmijë “Kling-Klang”, Edona Pajaziti.
Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit potencoi se bashkëpunojnë edhe me artistët nga Kosova, të cilët do të marrin pjesë në mbrëmjet operistike të muajit maj. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
