Ministri i Maqedonisë dhe ai i Çekisë në Gjevgjeli: migrantët ekonomik të ndahen nga të tjerët

26.02.2016 15:42

Qendra transite e pranimit të refugjatëve në Gjevgjeli vizitohet nga dy ministra të punëve të brendshme, atij të Maqedonisë dhe Çekisë, si dhe nga pjesëtarët e policisë nga të dy vendet të cilat e mbrojnë kufirin jugor të Maqedonisë...

Ministri i Maqedonisë, Spasovski, shprehu falënderim për pjesëmarrjen e policëve çek në sigurimin e kufirit me Greqinë dhe theksoi se presin vendim nga vendet e BE¬-së, sepse nuk janë burimi i krizës së refugjatëve dhe nevojitet veprim i përbashkët për zgjidhje më efikase.

"Problemi duhet të zgjidhet në vendet prej ku vijnë refugjatët, sepse çdo vendim tjetër nuk është zgjidhje. Të obliguar jemi si vend të sigurojmë trajtim human të njerëzve të cilët kërkojnë mbrojtje nga ne dhe transit, por gjithashtu duhet të sigurojmë stabilitet dhe siguri për qytetarët e vendit tonë”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme në Maqedoni, Oliver Spasovski.

Ministri i Punëve të Brendshme të Çekisë, Mihail Hovanec, theksoi se Maqedonisë do t’i ofrohet ende ndihmë nga vendet e grupit të Vishegradit.

“Ne e kuptojmë se presioni i fluksit të refugjatëve, i cili kalon nëpër Maqedoni, do të përforcohet dhe dua të potencoj se jemi të vetëdijshëm për këtë dhe njëkohësisht të gatshëm ta ndërmarrim pjesën tonë të përgjegjësisë”- tha ministri i Punëve të Brendshme të Çekisë, Mihail Hovanec.

Ministri i Çekisë theksoi se me rëndësi është që të ndahen migrantët ekonomik nga të tjerët, sepse do të jetë shumë më e vështirë të kontrollohet fluksi i refugjatëve. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)