Maqedoni

Këshilltarët e BDI-së në Butel, kundër vendimit jolegjitim të kryqit

26.02.2016 16:34

Këshilltarët e BDI-së në Komunën e Butelit të Shkupit kundërshtojnë vendimin e kësaj komune për vendosjen e një kryqi gjigant në hyrje të kësaj komune...

Ata vlerësojnë se ky vendim është jolegjitim nga shumica e këshilltarëve maqedonas, duke marrë parasysh se nuk është respektuar parimi i badenterit, i cili në këtë rast është normë ligjore.
 
“Mirëpo në rastin konkret shihet qartë se bëhet fjalë për një provokim të hapur ndaj afër 50 përqindëshit të popullatës së Butelit, e cila nuk i takon fesë ortodokse. Kërkojmë publikisht nga kreu i Komunës së Butelit dhe nga këshilltarët e partive maqedonase, që seriozisht ta rishqyrtojnë këtë vendim të mbrapshtë e jolegjitim dhe këtë provokim të hapur antishqiptar e anti-Islam. Në të kundërtën, ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi në rast se ky akt ndikon në prishjen e raporteve ndëretnike e ndërfetare, apo nëse gjendja e sigurisë do të dalë nga kontrolli”- deklaroi këshilltari i BDI-së në Butel, Naim Saliu.
 
Nga kabineti i kreut të Komunës së Butelit nuk deshën të prononcohen rreth kësaj çështje se a bëhet fjalë për shkelje ligjesh gjatë miratimit të vendimit për këtë objekt ose për diçka tjetër. Merret vesh se vendosja e gurthemelit të kryqit në lagjen Butel do të bëhet deri në fund të kësaj jave, ndërsa donator i këtij kryqi është Kongresi Botëror Gjithëmaqedonas. 
 
Edhe Bashkësia Fetare Islame vendosjen e kryqit në Butel e vlerësoi si provokim për besimtarët myslimanë. BFI-ja vlerëson se akti i tillë mund të nxisë tensione ndëretnike, andaj edhe i bën thirrje autoriteteve qeveritare, por edhe atyre ndërkombëtare, që të ndërhyjnë për shfuqizimin e vendimit të Komunës së Butelit, në të cilën, sipas BFI-së, gjysma e banorëve janë të besimit Islam. 
 
REXHEP QAMILI