Botë
Basha: Të përjashtohet Rama nga kuvendi
26.02.2016 16:49
Një ditë pas tensioneve në Parlamentin e Shqipërisë, opozita i është drejtuar kuvendit me kërkesën për përjashtimin për 10 ditë nga parlamenti për kryeministrin, Edi Rama, dhe deputetit, Erion Brace...

Kërkesa është bërë nga demokratët për fyerjet e një dite më parë në parlament ndaj deputeteve të PD-së, Albina Deda dhe Arbiola Halimi.
Të paktën deri të enjten demokratët nuk do të marrin pjesë në komisionet kuvendore, duke i lënë kohë mazhorancës të reflektojë mbi kërkesat për ndryshime në Ligjin për dekriminalizimin.
Nga ana e tij, kryeparlamentari, Ilir Meta, ka kërkuar më shumë përgjegjësi dhe etikë nga Partia Demokratike, duke e cilësuar tensionin e djeshëm në kuvend si artificial.
Një ditë më parë, seanca parlamentare u shoqërua me tensione të forta. Opozita bllokoi foltoren e kuvendit, pasi nuk u morën në konsideratë propozimet në kuadër të dekriminalizimit. Deputetët e PD-së kanë gjuajtur me vezë në drejtim të kryeministrit dhe ministrave të kabinetit.
LULJETA NDOKA
