Maqedoni

Dimitriev vizitoi KShZ-në: Më siguruan se ka kushte për zgjedhje në qershor

26.02.2016 17:53

KShZ përfundoi procesin e valorizimit të bazave të të dhënave dhe menjëherë mund të fillojë me kontrollin përmes kryqëzimit të të dhënave...

Kryeministri teknik, Emil Dimitriev, pas takimit dy orësh në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, deklaroi se KShZ-ja ka kohë të mjaftueshme për pastrimin e listës se zgjedhësve deri në afatin e paraparë për zgjedhje të parakohshme. 
 
“Anëtarët e KShZ-së më siguruan se afati shtesë që u fitua me zhvendosjen e datës së zgjedhjeve është i mjaftueshëm që të arrihet gjithçka që është detyrim i KShZ-së. Ne si qeveri edhe tani e ndajmë qëndrimin se afati optimal dhe real për mbajtjen e zgjedhjeve ishte 24 prilli dhe mund të arrihej gjithçka për organizimin e zgjedhjeve të drejta, megjithatë bëra thirrje që zhvendosja e afatit të zgjedhjeve të mos ndikojë që të presim afatin e fundit për përmbushjen e të gjithë detyrimeve”- deklaroi kryeministri teknik, Emil Dimitriev.
 
Dimitriev shprehu bindjen se institucionet do t’i plotësojnë të gjitha kushtet që zgjedhjet të mbahen më pesë qershor, madje ofroi mbështetje logjistike për KShZ-në që të mos humb kohë për furnizime publike për gjëra që mund t’ia ofrojë Qeveria. Sipas tij, KShZ, përveç nevojës për inxhinierë të teknologjisë informatike, është ekipuar.
 
Inxhinierët e teknologjisë informatike, të cilët i ka angazhuar KShZ, parashohin që kontrolli i të dhënave me kryqëzim do të zgjasë rreth 10 ditë dhe më pas do të vazhdojë kontrolli në terren, njoftoi kryeministri teknik, Emill Dimitriev.
 
SHPËTIM NUREDINI