Maqedoni

Çështja e mediave, ShGM: Ndërkombëtarët të thonë a do të ketë reforma

26.02.2016 18:03

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë kërkon nga ShBA-të dhe BE të prononcohen se a do të ketë apo jo reforma në media para zgjedhjeve pas heshtjes së krijuar se kur do të kishin vazhduar bisedimet...

Nga ShGM thonë se ndërkombëtarët duhet të japin përgjigje se a janë sakrifikuar mediat për shtyrjen e datës më 5 qershor.
 
“Mbetet e papërgjigjur pyetja nëse do të ketë reforma në media deri më 5 qershor, në mënyrë që do mundësonte përmirësim të mbulimit të fushatës zgjedhore në media dhe sigurim të mbulimit të barabartë medial për të gjitha partitë. Nuk ka dyshim se përgjegjësia më e madhe për mungesën e reformës në media bie mbi partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, megjithatë BE edhe ShBA, si garantuese të saj, kanë rol të rëndësishëm për zbatimin e plotë të marrëveshjes”- thuhet nga ShGM.
 
Nga Ambasada amerikane nëpërmjet një kumtese për media sigurojnë se do të vazhdojnë bisedimet me partitë politike për çështjen e mediave.
 
“ShBA-të dhe BE do të vazhdojnë të bisedojnë për këto çështje me partitë politike. Theksojmë se kuvendi mund të hapë këto çështje në çdo kohë. Kemi të bëjmë me: financimin stabil të RTVM-së, reklamimi qeveritar të jetë transparent, këshilli i RTVM-së dhe Agjencisë së Mediave të përbëhen nga profesionistë të më shumë fushave të miratuar nga parlamenti. Partitë politike parimisht janë dakorduar për gjitha këto çështje dhe ata do të duhet të vendosin se si do të vazhdojnë më tutje”- thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
 
Çështja e mediave është një nga pikat e papërmbushura të marrëveshjes politike. Dilemat se a do të ketë vazhdim të bisedimeve për këtë çështje u shtuan pas deklarimit të liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruveskit, se është dakorduar për datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve, pasi që partnerët ndërkombëtarë, midis tjerash, i kanë premtuar Gruevskit se nuk do të ketë vazhdim të bisedimeve për mediat.
 
MERAL ISMAILI