Maqedoni
Shpenzimet mujore tejkalojnë të ardhurat, qytetarët ankohen për çmime të larta
26.02.2016 18:15
Shpenzimet mujore tejkalojnë të ardhurat mujore në Maqedoni. Edhe gjatë këtij muaji rroga mesatare ka vlerë më të ulët, diku rreth 11 mijë denarë, në krahasim me shportën konsumatore...

Harxhimet mujore në Maqedoni vazhdojnë të jenë shumë më të mëdha se sa të ardhurat mujore, përderisa shporta e konsumatorëve kap vlerën e 32 mijë denarëve, rroga mesatare mujore është rreth 23 mijë denarë.
Rrogat e ulëta kanë ndikuar edhe tek shitblerja e prodhimeve. Qytetarët e anketuar thonë se çmimet janë të larta në krahasim me rrogën që ata marrin, ndërsa theksuan se zakonisht ata dalin në treg vetëm për të blerë gjërat më elementare që u nevojiten.
“Unë kaloj gjithë Evropën çdo muaj, vetëm këto çmime të hatashme që janë këtu të ngritura nuk mund t’i gjesh askund, por populli patjetër duhet të ketë ushqim. Sa i përket rrogave, dihet me një rrogë çfarë mund të bëhet, s’mund të bëj asgjë”- u shpreh një blerës.
“Me 200 euro ose 150 euro nuk mundemi t’i arrijmë të gjitha, se i kemi harxhimet e mëdha. Në përgjithësi çështjet financiare të shtëpisë, kemi rrymën e të tjera, por mendoj se jemi me një situatë shumë të vështirë”- u shpreh një blerës.
Nga ana tjetër, shitësit thonë se çmimet janë të lira, por problemi qëndron në faktin se popullata nuk ka para.
“Çmimet më të lira, nuk munden më lirë të jenë, por edhe rrogat janë katastrofë, ankohen se s’kanë para, s’kanë rroga”- tha një shitës.
“Kur ka para paguan edhe 50 den., kur s’ka para as 10 den. nuk e paguan”- u shpreh një shitës.
“Është papunësi e madhe, skamja është shumë, shumë e madhe, nuk ka populli bukë për të ngrënë, unë vij këtu shes brokoli 50 den. gjysmë kg, nuk vjen ndokush të merr një qepë të njomë që kushton 10 den.”- theksoi një shitës.
Sipas statistikave, pjesa më e madhe e rrogës, ose 13. 414 denarë, shkon për blerje të ushqimit, ndërsa 10.422 denarë për pagesa të faturave energjetike dhe komunale.
GAZMEND REXHEPI
