Maqedoni

Strategjia e zhvillimit të turizmit, shteti të investojë në pikat kyçe

26.02.2016 18:19

Zhvillimin e turizmit dhe promovimin sa më cilësor të vendit e ka për qëllim draft-versioni i strategjisë për zhvillimin e turizmit për periudhën 2016-2021, i cili sot u prezantua para institucioneve kompetente dhe agjencive turistike...

Në këtë projekt janë përcaktuar pikat kyçe se ku duhet koncentruar shteti, por edhe sektori privat për tërheqjen e sa më shumë turistëve nga e gjithë bota.
 
“Dokumenti është përgatitur dhe ky dokument do të caktojë vizionin e ardhshëm të turizmit, atë se ku duhet shteti të koncentrohet për zhvillimin e turizmit dhe ku do të duhet sektori privat ose asociacionet private të punojnë më tepër për zhvillimin e turizmit me një qëllim të përbashkët për tërheqjen e sa më shumë turistëve, si dhe promovimin sa më cilësor të Maqedonisë”- deklaroi këshilltari, Shovket Hazari.
 
Koordinatori i këtij projekti, Kristofer Hintegerer, tha se turizmi ka përparuar vitet e fundit, por për një progres të vazhdueshëm tha se institucionet duhet të koordinohen mes vete, si dhe qeveria të investojë sa më shumë në sektorin e turizmit. 
 
“Për zhvillimin e turizmit është me rëndësi që edhe sektori publik edhe ai privat t’i kryejnë detyrat e veta, qeveria nga ana tjetër duhet të financojë dhe investojë në zhvillimin e turizmit dhe sigurisht është e duhur që të vendos strukturë organizative, me çka do t’i menaxhon aktivitetet turistike”- tha koordinatori i projektit, Kristofer Hintegerer.
 
Këtë draft-version e kanë punuar Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me shtëpinë konsultuese nga Austria.  
 
ERSAN PAJAZITI