Maqedoni

Forca të shumta policore në vendin ku paralajmërohet vendosja e Kryqit në komunën e Butelit

27.02.2016 12:19

Forca të shumta policore janë sistemuar në rrugët rreth lokacionit ku u paralajmërua vendosja e themelit të Kryqit në Komunën e Butelit...

Paraprakisht në atë lokacion u mbajtën protesta të qeta të pjesëtarëve të BDI-së.
 
Pjesëmarrës në protestë, siç njofton Zhurnal.mk, ishin edhe funksionar të lartë të BDI-së, në krye me kryetarin e komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zëvendës ministri i Mbrojtjes, Ilmi Selami, deputeti i BDI-së, Artan Grubi, etj.
 
Përndryshe, deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti në protestën e sotme porositi që kryqe të vendosen andej urës, ndërsa këndej urës të ruhet multietniciteti i Maqedonisë. Ajo ndërmjet tjerash theksoi se është për ruajtjen e Maqedonisë multietnike dhe ka guxim ta thotë këtë, prandaj edhe ka dal për të protestuar.
 
“Ne jemi këtu për të thënë se në vendbanimet shqiptare nuk mund të bëjnë çfarëdo të duan, kryqa, luana, arusha…çfarë të duan bujrum le të bëjnë atë të duan matanë urës ku e kanë bërë kopshtin zoologjik, por në këtë anë të ndërtohen objekte simbole që reflektojnë konceptin dhe kuptimin multietnik të Maqedonisë.”, deklaroi Mehmeti.
 
Ajo theksoi se ne si shqiptar kemi guxim për ta përmendur konceptin multietnik të shtetit, ndërsa maqedonasit nuk e kanë këtë guxim.
 
“Ne si shqiptarë kemi guxim ta themi këtë, hajde të shohim a kanë guxim ta thonë ata, ne duam Maqedoni multietnike, të barabartë, prandaj kemi dalë këtu dhe të themi se nuk kalojnë vendimet politike të cilat simbolet e fesë e personale i shndërrojnë në politike”, deklaroi Mehmeti.
 
Në lidhje me këtë rast kanë reaguar ditë më parë këshillëtarët e BDI-së dhe ai i LR-PDSH-së, duke e konsideruar vendimin e Këshillit të komunës Butel, si të paligjshëm dhe mjaft provokues për popullatën joortodokse në këtë komunë.
 
Ndërkohë, këshilltari i BDI-së në komunën e Butelit Naim Saliu ka falënderuar gjithë pjesëmarrësit në protestën e qetë, duke shtuar se kjo që ka ndodhur në komunën e Butelit është thyer kushtetuta.
 
Madje, si thekson se si këshilltar, “na është futur në rend dite vendimi pa kurrfarë konsultime dhe dijeni”.
 
“Ka disa komandantë që flasin nëpër ‘Fejsbuka’ dhe ia duan shqiptarëve të keqen dhe këtë nuk do ta lejojmë. Ta dinë njëherë e përgjithmonë se jemi për bashkëjetesë sepse kryqet e kanë vendin aty ku duhet nëpër kisha e manastire dhe këtë bile nuk e lejon neni tetëdhjetë”, tha Saliu./mia