Botë
Në protestat e mbrëmshme në Prishtinë u lënduan 21 policë dhe një gazetar
27.02.2016 12:34
Policia e Kosovës kumtoi se gjatë kohës së demonstratave mbrëmë në Prishtinë janë lënduar 21 policë dhe një gazetar, ndërsa pesë protestues janë arrestuar...

Sipas raportit policor, bëhet e ditur se dhuna dhe sulmet e protestuesve drejt policisë janë përshkallëzuar rreth orës 17:00.
"Gjatë kohës së protestës në fillim kanë qenë rreth dy mijë deri dy mijë e 500 protestues, ndërsa më vonë një numër i protestuesve janë larguar dhe numri i tyre ka rënë rreth 400-500. Rreth orës 16:55 në sheshin ‘Adem Jashari’ e më pastaj edhe në rrugën ‘Agim Ramadani’, disa protestues të dhunshëm të kamufluar me maska kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme duke përfshirë gurë, fishekzjarre dhe koktej molotovi në drejtim të policisë dhe objektit të kuvendit të RKS-së” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Lidhur me situatën e krijuar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku është hedhur gazi lotsjellës, policia njofton se ka shoqëruar për në polici njërin nga deputetet, i cili ka deklaruar se e ka hedhur gazin lotsjellës, ndërsa ka ndërmarrë edhe veprimet e nevojshme ligjore për largimin nga salla e Kuvendit të disa deputetëve të opozitës që ishin përjashtuar nga seanca e Kuvendit.
“Zyrtarët e sigurimit të kuvendit konform procedurave ligjore fillimisht ju kanë prezantuar vendimin e kuvendit deputeteve të përjashtuar dhe më pas të njëjtit i kanë larguar nga salla e kuvendit, për të krijuar kushtet për vazhdim të seancës” thuhet në njoftimin e policisë dhe më tej shtohet që “si vazhdimësi e realizimit të procedurave ligjore, njësitet relevante policore kanë shoqëruar në polici edhe tre deputet të tjerë, për të vazhduar me procedurat e mëtejshme ligjore”, thuhet në kumteësn e policisë së Kosovës./mia
