Sulm vetëvrasës në Siri, armëpushimi po respektohet me disa shkelje
Dy persona janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës në qytetin Salamijeh në Siri, që është nën kontroll të qeverisë, disa orë pasi ka filluar implementimi i armëpushimit...

Por raportet flasin se armëpushimi ka arritur të sjell qetësi relative në disa pjesë të Sirisë.
Marrëveshja për ndërprerje të armiqësive e arritur me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, është pranuar nga qeveria e presidentit, Bashar al-Assad, dhe shumë grupe opozitare që luftojnë kundër qeverisë.
Sipas marrëveshjes, luftimet duhet të ndalen në mënyrë që për civilët të arrijë ndihmë humanitare dhe të hapen bisedimet për përfundimin e luftës, nga e cila janë vrarë më se 250 mijë njerëz, ndërsa afro 11 milionë banorë kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Në këtë marrëveshje nuk përfshihen grupi militant, Shteti Islamik, dhe Fronti Nusra, që është degë e al-Kaidës në Siri.
Në Moskë, zyrtarët ushtarakë ruse kanë thënë se Rusia i ka suspenduar sulmet ajrore në një “zonë jeshile” në Siri, në harmoni me marrëveshjen.
Aktivistët opozitarë në pjesë të ndryshme të Sirisë thanë se situata ishte “e qetë”, prej mesnatës, kur marrëveshja ka hyrë në fuqi, megjithqë kanë raportuar për shkelje sporadike.
