Maqedoni

Kryqi në Butel, vendoset gurthemeli

27.02.2016 14:32

Nën prani të forcve të shumta policore, me rite fetare, në komunën e Butelit u vendos gurthemeli për ndërtimin e kryqit, i cili pritet të arijë lartësinë 51 metra...

Donatorë të kryqit janë Kongresi botërorë maqedonas, të cilët vendosën kryqin edhe në komunë e Aerodromit para dy vitesh.
 
Edhe pse u tha se paratë janë grumbulluar nga persona fizik dhe juridik të vendit, e jo nga komuna, qyteti apo qeveria, në këtë ceremoni nuk mungoi prezenca edhe e zv/kryeministrit për çështje ekonomike Vlladimir Peshevski, kryebashkiaku i Shkupit Koce Trajanovski si dhe njeriu i parë i komunës Petre Llatinovski i cili ka dhënë vizën për ndërtimin e kryqit.
 
Kryetari i kongresit botëror maqedonas Todor Petrov tha se kryqi nuk është provokim ndaj askujt por është pjesë e pandashme e kulturës dhe historisë së Maqedonisë.
 
“Kryqi në Butel nuk është porosi e maqedonasve kundër bashkëjetesës me të tjerët, përkundrazi, kryqi në Butel është simbol i paqes dhe dashurisë kundrejt urrejtjes dhe luftës, pasiqë sa është maqedonas aq është edhe shqiptarë. Edhe për ata që kërkuan kishë ortodokse shqiptare në maqedoni, ja ku e kanë kryqin që të kryqëzohen para zotit. Kuptohet se në Shqipëri ekziston kishë ortodokse shqiptare, të krishterë shqiptarë ka në Kosovë dhe Maqedoni, andaj janë të papranueshme agresioni dhe dhuna, kundër këtij simboli të fesë. Askush mos të mendojë se toleranca e maqedonasve është pikë e dobët për tu nënçmuar”, shprehet kryetari i kongresit botëror maqedonas Todor Petrov.
 
Se kryqi nuk është provokim ndaj askujt u demantua nga një grup njerëzish, pjesë e turmës, të cilët dy herë si gjatë mbajtjes së fjalimit të Todor Petrovit por edhe pas përfundimit tentuan të këndojnë këngë patriotike maqedonase.
 
Për tu penguar incident i mundshëm gjatë ceremonisë, forca të shumta policore kishin bllokuar gjitha hyrjet-daljet e komunës. SIpas organizatorëv kryqi do të jetë gati për dy muaj. Pas ndërtimit ai do të kalojë në pronësi të komunës së Butelit.
 
MERAL ISMAILI