ÇËSHTJA E MEDIAVE
Selmani: Nuk është çështje dëshire, është obligim
27.02.2016 15:39
Regullimi i çështjes së mediave është obligim politik që krerët e katër partive kanë marrë gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes politike...

Regullimi i çështjes së mediave është obligim politik që krerët e katër partive kanë marrë gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes politike të qershorit dhe korrikut të vitit të kaluar dhe, si i tillë, duhet të zbatohet para zgjedhjeve parlamentare, kurdo që të mbahen ato.
Kështu deklaron për TVM eksperti juridik, Bashkim Selmani, duke shtuar se, obligimet politike prodhojnë detyrime juridike, gjë që sa i përket çështjes së mediave partitë politike ende nuk e kanë zbatuar.
Këmbëngulja e kryetarit të VMRO DMNE-së që të mos ketë bisedime rreth kësaj çështje tregon frikën që ka kjo parti e vetëdijshme se me humbjen e mediave do të humb kontrollin mbi opinionin publik, gjë që mund të sjellë pasoja në rezultatin zgjedhor të VMRO DPMNE-së.
“Realisht këtu edhe VMRO shpreh sinajle të pasigurta dhe mendon se me humbjen e mediave do të humb edhe reputacioni i saj dhe mund të ketë pasoja për vetë VMRO DPMNE-në. Faktikisht këtu është një dobësi e VMRO-së dhe kryetarit të saj për arsye se me marrëveshje kur merren detyrime ka detyrime politike dhe në këtë rast ato detyrime politike janë të nënshkruara dhe realisht detyrimet politike prodhojnë edhe detyrime juridike, që në këtë rast ata duhet që të ofrojnë opsione dhe zgjidhjen për mediat. Dihet se mediat deri më tani në RM kanë bërë që të humb funksionimi i demokracisë. Në këtë rast edhe qytetarët edhe partitë politike kanë detyrime morale që këtë cështje ta zgjidhin dhe në zgjidhjen e rolit të mediave nënkuptohet edhe jetësimi i demokracisë sepse mediat kanë qenë vetë ato që situatën në RM e sollën në këtë gjendje”, shprehet profesori universitar Bashkim Selmani.
Kreu i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski, pas miratimit të vendimit për shtyerjen e datës së zgjedhjeve, pat deklaruar se ka marrë garanca nga përfaqësuesit ndërkombëtar se nuk do të ketë vendosje të kushteve të reja për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor, duke e përfshirë edhe Ligjin për mediume.
Mirëpo përfaqësuesit ndërkombëtar e mohuan një gjë të tillë.
Ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni tha se çështja e mediave është pjesë e reformave emergjente që BE kërkon nga Maqedonia, ndërsa eurokomisari Han sqaroi se Marrëveshja e Përzhinës është e gjallë dhe se partitë politike duhet të angazhohen plotësisht në zbatimin e saj, përgatitjen e zgjedhjeve të besueshme dhe zbatimin e reformave prioritare, përfshi edhe çështjen e mediave.
SHPËTIM NUREDINI
