Botë

Raketa amerikane shkatërron tankun rus

27.02.2016 17:00

Megjithse ShBA-të dhe Rusia nuk janë të përfshira drejtpërdrejtë në konflikt me njëra-tjetrën, armët e prodhuara prej tyre gjithmonë mbeten në garë...

Rebelët sirianë publikuan në Youtube një video që tregon momentin kur një raketë amerikane antitank, e njohur si TOW, godet një tank rus T-90, prodhim i fundit i teknologjisë ruse.

Raketat BGM-71 TOW janë një prodhim amerikan që ka rënë në duart e rebelëve në bazë të vendimit të 2014-s të Uashingtonit që autorizon CIA-n të furnizojë me armatime lëvizjen e armatosur anti-Assad.

Përdorimi i tyre është dokumentuar disa herë me filmime kundër tankeve siriane, por asnjëherë më parë nuk janë kapur në terren teksa veprojnë mbi një tank rus, aq më tepër mbi një T-90, një tank i prezantuar me pompozitet nëntorin e kaluar nga ana e Kremlinit.

Nga ajo që shihet në video, kuptohet që raketa antitank ka arritur të nxjerrë jashtë funksionit mjetin e blinduar, ndërsa drejtuesit e tij arrijnë të dalin në kohë nga tanku.

Nuk është e qartë nëse tanku drejtohej nga ushtarë rusë apo sirianë, por sipas asaj që shkruhet në përshkrimin e videos, sulmi ka ndodhur në zonën Sheikh Aqil, në periferi të Aleppo-s, kryeqendra e lëvizjes së rebelëve të armatosur.