Botë

Poloni: Protestë në mbështetje të ish-presidentit Walesa

28.02.2016 13:17

Disa mijëra njerëz kanë dalur dje në rrugët e Varshavës në Poloni, për ta mbështetur ish-presidentin, Lech Walesa...

Disa mijëra njerëz kanë dalur dje në rrugët e Varshavës në Poloni, për ta mbështetur ish-presidentin, Lech Walesa, dhe për t’i kundërshtuar aksionet e qeverisë së re konservatore.
 
Raportohet se në protestë ishin prej 15 mijë e deri në 80 mijë njerëz.
 
Protestuesit kanë mbajtur fotografi të ish-presidentit, Lech Walesa, i cili aktualisht është ballafaquar me akuza të përsëritura se kishte bashkëpunuar me policinë sekrete të Polonisë në vitet e 70-ta.
 
Walesa thotë se ai e kishte nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim, por kurrë nuk kishte vepruar sipas saj.
 
Mbështetësit e tij thonë se qeveria po e sulmon zotin Walesa për përfitime politike.
 
Partia për Ligj dhe Drejtësi e udhëheq qeverinë e Polonisë prej nëntorit të vitit të kaluar.
 
Mbështetësit e saj thonë se ajo i promovon vlerat katolike dhe i ndihmon shtetasit më të varfër në këtë vend./evropaelire