Botë

Siri: Respektohet armëpushimi

28.02.2016 16:30

Monitoruesit në Siri thonë se sot janë kryer disa sulme ajrore kundër caqeve në pjesën veriperëndimore dhe qendrore në Siri...

Monitoruesit në Siri thonë se sot janë kryer disa sulme ajrore kundër caqeve në pjesën veriperëndimore dhe qendrore në Siri, por edhe në ditën e dytë me radhë armëpushimi ndërmjet forcave qeveritare dhe opozitës së moderuar, duket se po respektohet gjërësisht.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, thotë se anëtarët e vet në terren në Siri, kanë raportuar për sulme ajrore nga aeroplanët e qeverisë së Sirisë ose ata rusë, në gjashtë qytete në provincën Alepo dhe në një fshat në provincën Hama.

Drejtori i këtij observatori, Rami Abdulrahman, tha se nuk është e qartë nëse eventualisht sulmet ajrore i kanë qëlluar hapësirat që përfshihen me marrëveshje për ndalje të armiqësive. Mediat shtetërore në Siri nuk i kanë përmendur sulmet, ndërsa Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka refuzuar të bëjë komente.

Me marrëveshje për armëpushim nuk përfshihen territoret nën kontrollin e grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe Fronti al-Nusra, i ndërlidhur me al-Kaidën, grupe që e kanë nën kontroll gati gjysmën e territorit të Sirisë.