Botë
Shkelet armepushimi në Siri, digjen fshatra të tërë
29.02.2016 13:11
Një ditë pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për ndërprerjen e armiqësive në Siri, sot disa qytete u goditën nga sulmet ajrore...

Një organizatë monitoruese me bazë në Britani tha se të paktën gjashtë fshatra ishin objekt i sulmeve ajrore, por ende është e paqartë nëse sulmet u kryen në zonat që ishin pjesë e marrëveshjes së armëpushimit.
Armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia që hyri në fuqi të shtunën filloi me disa incidente dhune, por i dërguari i OKB-së për Sirinë thotë se dita e parë e armëpushimit ishte “pozitive”.
Armëpushimi nuk vlen për Shtetin Islamik dhe grupet terroriste të Frontit Al-Nusra të lidhura me Al-Kaidën duke shkaktuar dyshime mbi arritjen e paqes afatgjatë në Siri.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama tha në fjalimin e tij të përjavshëm tha se territori i Shtetit Islamik në Siri është duke u zvogëluar.
Ai tha se numri i luftëtarëve në fushën e betejës është duke u pakësuar dhe është bërë më e vështirë për xhihadistët që “të rekrutojnë dhe të plotësojnë radhët e tyre".
