Botë

Armëpushimi në Siri, OKB nis ndihma humanitare

29.02.2016 15:52

Organizata e Kombeve të Bashkuara, po shfrytëzon armëpushimin për të furnizuar me ushqim, veshje dhe medikamente, qytetarët sirianë të prekur nga lufta...

Vetëm gjatë orëve të fundit, 150.000 sirianë kanë marrë ndihma humanitare, teksa OKB planifikon që brenda muajit mars, t’iu vijë në ndihmë 1.7 milionë banorëve.
 
Pavarësisht akuzave të ndërsjella midis ndërkombëtarëve, situata në Siri është përmirësuar gjatë orëve të fundit.
 
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga zëdhënësit e grupeve rebele, të cilat kundërshtojnë regjimin e Bashar al-Assad. Sipas mediave ndërkombëtare, ndalimi i bombardimeve ka çuar edhe në rihapjen e disa shkollave të ciklit të ulët.
 
Akordi që hyri në fuqi ditën e shtunë, nuk ëhstë respektuar plotësisht, pasi në Siri pati  sërisht sulme ushtarake, megjithatë, palët duket se kanë vendosur që t’i qëndrojnë marrëveshjes së tyre. 
 
Në turqi, ndërkohë , një televizioni privat i është ndaluar transmetimi për shkak të akuzave në lidhje me përhapjen e propagandës terroriste.Ngjarja është konsideruar si një akt tjetër i rëndë i ndërmarrë nga qeveria turke, e cila është përfshirë së fundmi në disa çështje mjaft të debatuara në lidhje me lirinë e fjalës dhe të medias. 
 
Koordinatori i përgjithshëm i televizionit, tha se qeveria kishte kërkuar që televizioni të mos transmetonte disa pamje të filmuara në Siri ku si pasojë e sulmeve nga ushtria turke, kishin humbur jetën disa civilë.
 
Vetëm pak javë më parë një tjetër rast i cënimit të lirisë mediatike nga qeveria turke tërhoqi vemëndje ndërkombëtare kur dy gazetarët përfunduan në pranga për shkak të publikimit të disa fotove, ku shfaqeshin anëtarë të agjensive të inteligjencës turke teksa ndihmonin në transportimin e armëve drejt Sirisë. 
 
GAZMEND KURTISHI