Futboll
Napoli e Lazio mbesin prapa
01.03.2016 12:52
Napoli humbet terren me Juventusin. Të kaltërit regjistruan të tretën ndeshje pa fitore duke u ndalur 1-1 në Firence...

Napoli humbet terren me Juventusin. Të kaltërit regjistruan të tretën ndeshje pa fitore duke u ndalur 1-1 në Firence, ku shpërdoruan jo pak raste për gol e madje panë t’i anulohej dhe një finalizim i Higuan në të 85-tën.
Dy pikë të lëna në një fushë të vështirë për ekipin e Sarrit, që vazhdon të tregojë luhatje në lojë duke lejuar tashmë Juventusin të shkëputet në 3 pikë. Fillimi i takimit ishte i zjarrtë me Fiorentinën që zhbllokoi rezultatin në të parin rast që pati, me Marcos Alonso që realizoi që në minutën e 6-të.
Alonso po aq shpejt sa i dha epërsinë Fiorentinës, po aq shpejt ja hoqi, me një gabim që lejoi Higuain të barazonte rezultatin menjëherë.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat pavarësisht se në 3 raste, ekipi vjollcë mund të kishte shënuar, duke goditur madje dhe traversën me Tellon. Në pjesën e dytë ishte Napoli që kontrolloi lojën, por Tatarusanu në dy raste ndërhyri saktë. U mbyll me një barazim, që shkëputi Napolin nga kreu e nuk lejoi Fiorentinën të ngjitej e vetme në vendin e 3-të në renditje.
Lazio nuk arriti të marrë dot të katërtin rezultat pozitiv radhazi duke humbur përballë Sassuolos. Bardhëkaltërit u mundën 2-0 në Olimpico duke mos parakaluar dot në renditje kundërshtarët e tyre. Berisha që ishte titullar në këtë përballje, nuk arriti dot këtë herë të ndalë penalltinë e Berardit në minutën e 41-të, ndërsa rezultati përfundimtar u vulos nga Defrel që realizoi në minutën e 67-të. Ndërkohë që 6 minuta më parë, portieri shqiptar kishte kryer një ndërhyrje fantastike duke evituar golin e 2-0.
Me këtë fitore, Sasuolo shkëputet tashmë 4 pikë nga Lazio por gjithsesi mbetet ende larg zonës europiane.
