Shkupi mirëpret Rojal Ilirët
Shkupi të mërkurën në kuadër të javës së 17-të në elitën e futsallit në vend do të jetë nikoqir i ekipit “Rojal Ilirët” nga Kumanova...

“Bardhekaltërit” nga Çairi dëshirojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve pas atyre ndaj Skopje 2011 (8:3) dhe Velesit (5:3), me ç’rast do vazhdonin të ruanin pozitën e dytë në tabelë, menjëherë pas kampionëve në fuqi të Zhelezarecit.
Trajneri Lekiq do të ketë në disponim të gjithë futbollistët, përfshirë këtu edhe futbollistin më në formë në kampionat, Erkan Seferi, i cili me 42 gola të shënuar kryeson bindshëm listën e golashënuesve.
“Edhe ndaj ekipit të Rojal Ilirët do të qasemi si në çdo ndeshje tjetër. Me rëndësi është që të gjithë futbollistët kanë bërë stërvitjet e duhura dhe janë të gatshëm për këtë ndeshje, në të cilën besojmë se do ja arrijmë qëllimit për të marrë pikët e plota. E dimë forcën e kundërshtarit. Ata na mundën në ndeshjen e parë në Kumanovë, ashtu që besoj se tani rradha është e jona që ti gëzojmë ata tifozë që gjithnjë na ndjekin dhe na japin përkrahjen e duhur” – tha trajneri i Shkupit, Zoran Lekiq në prononcimin e tij për faqen e klubit në “facebook”.
Rikutjojmë në ndeshjen e parë të zhvilluar më 19-të nëntor të vitit të kaluar, Rojal Ilirët në Kumanovë kishin shënuar fitore me rezultatin 7:6. Aktualisht kjo skuadër ndodhet në pozitën e 5-të me 23 pikë, 10 më pak se Shkupi që shpreson se të mërkurën në mbrëmje do të arrijë edhe deri tek fitorja e 12-të në edicionin e sivjetshëm.
Ndeshja Shkupi – Rojal Ilirët zhvillohet në palestrën “Enver Idrizi” në Çair dhe e njëjta starton në ora 19:30. (futsalShkupi)
