Maqedoni
“Jugohromi” rinis punën, OJQ-të: Kur nuk punoi, kishim 40% më pak ndotje
01.03.2016 16:32
Oxhaqet e “Jugohromit” filluan të tymosin që herët në mëngjes, pasi sot kombinatit i përfundoi afati që i kishte vënë vetes, për të ndërprerë punën deri më 1 mars...

Edhe pse drejtuesit e ndërrmarjes thonë se nuk janë ata shkaktarët e ndotjes në Pollog, me ndërprerjen e përkohëshme të punës së “Jughromit”, ndotja në Tetovë, në të shumtën e rasteve ka qenë në parametrat e lejuar, edhe pse në ditë të caktuara ka pasur luhatje mbi këtë nivel. Por në përgjithësi , gjatë kësaj periudhe niveli i ndotjes ka qenë për 40% më i ulët.
Nga shoqatat ”Nëna dhe fëmija” dhe “Eco Guerilla”, thonë se do të vazhdojnë me protesta duke kërkuar që kjo kompani të vendos filtrat, ashtu siç parashihet me ligj.
“Ata kanë filluar punë, kanë lëshuar në përdorim furrat e tyre. Nuk e dimë kapacitetin me të cilin do të punojnë në këtë periudhë, akoma nuk janë deklaruar, mirëpo gjithsesi do e kërkojmë këtë informacion prej tyre. Ne e thamë edhe dje në një reagim për media që abonimi për ajër të pastër për Tetovarët ka përfunduar që sot. Ne gjithmonë vetëm kemi kërkuar instalimin e filtrave në këtë fabrikë. Ne nuk kemi asnjë leverdi nga mbyllja apo hapja e këtij kombinati, thjesht qëllimi ynë është se jemi të vetëdijshëm se çfarë ndotje na shkakton i njejti”, dekaroi Narta Kasa, nga shoqata “Nëna dhe fëmija”
“U pa qartë se gjatë këtyre dy muajve të fundit me ndalimin e punës së Jughromit ndotja e ajrit në Tetovë është ulur dukshëm diku rreth 40%. Ne ende nuk kemi vendosur se si dhe çka do veprojmë, por një gjë është e sigurt që ne përsëri do të kundërshtojmë helmimin nga rezultatet që ishin se 40% më pak dhe qytetarët edhe më shumë janë të informuar. Rihapja e fabrikës do të thotë një provokim direkt për qytetarët. Sa kemi në informata, fabrika “ Jughrom”, nuk ka marrë asnjë hap konkret për vendosjen e filtrave që do të thotë që ajo do vazhdoj me avazin e vjetër Do të vazhdojë punën pa vendosjen e filtrave dhe përsëri qytetarëve të Tetovës do të vazhdoj t’u dhuroj 30 tonë pluhur në ditë”, tha Gëzim Qahili, nga “Eco Guerilla”.
Ndërprerja dymujore e punës së “Jugohromit” u bë vullnetarisht nga pronarët efabrikës por erdhi si pasojë e reagimeve të shumta të sektorit civil dhe protestave të qytetarëve, pasi kjo fabrikë është vlerësuar nga këto shoqata , si ndotësi më i madh në Pollog.
VISAR SADIKI
