Botë
“Super e marta” në SHBA, triumfojnë Clinton dhe Trump
02.03.2016 09:11
Plot 11 shtete votuan të marten në SHBA , në atë që është dita e votimeve më masive përpara Presidencialeve të 8 nëntorit...

Një e martë kjo tepër e suksesshme për kandidatët presidencialë të demokratëve dhe republikanëve, Hilari Klinton dhe Donald Trump.
Alabama, Georgia, Tenese dhe Virginia ishin mes shteteve, ku triumfuan që të dy. Trump u mposht nga Cruzi në Oklahoma dhe atje ku ishte parathënë që nuk mund të fitonte, në Teksas.
Bernie Sanders mori 4 shtete, përfshirë atë që përfaqëson, Vermontin. Në fjalimin e fitores, Clinton la të kuptohej se, tashmë e sheh veten duke luftuar për Presidencën me Trumpin.
“Ka shumë gjëra në lojë në këto zgjedhje. Rreziku nuk ka qenë kurrë më i lartë, ndërsa retorika që dëgjojmë nga pala tjetër, kurrë më e ulët”, tha Hilari Clinton, kandidate e demokratëve për President të SHBA-ve
Manjati, nga ana e tij, këmbënguli ta përshkruante veten si një “bashkues".
“Unë mund ta hedhë pas krahëve luftën brenda partisë republikane për t’u fokusuar te gara e përgjithshme. Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të kem punë vetëm me një njeri, Hillary Clintonin”, tha Donald Trump, kandidat i republikanëve për President të SHBA-ve.
Miliarderi këmbënguli gjithashtu se e ka “zgjeruar partinë republikane”, duke iu referuar pjesëmarrjes së lartë në shtetet që kanë votuar tashmë. Fakti që prej kësaj gare përcaktohen 25 për qind e delegatëve të nevojshëm për nominim, e bën “super të martën” ditën më të rëndësishme të paraprakeve amerikane.
BELINDA KOKA-ADEMI
