Botë
Moska e Damasku nxisin eksodin e refugjatëve
02.03.2016 11:46
Moska dhe Damasku po e nxisin vet eksodin e refugjatëve, për ta përdorur si “armë” kundër Perëndimit, ka deklaruar komandanti suprem i NATO-s në Europë, Philip Breedlove....

Ligjvënësve amerikanë, Breedlove kërkoi t’iu shpjegonte se, bombardimet masive të civilëve në Siri duket se nuk i shërbejnë asnjë synimi tjetër, përveç dobësimit të kontinentit të vjetër, duke lëshuar drejt tij dallgë të vazhdueshme njerëzish të dëshpëruar për bukë, strehim dhe siguri.
“Së bashku, Rusia dhe regjimi i Assadit po e kthejnë qëllimisht në ‘armë’ emigracionin, në përpjekje për të mbytur strukturat europiane e për të fashitur vendosmërinë europiane”, tha Philip Breedlove.
Kriza e refugjatëve - sipas tij, - ua largon edhe më shumë fuqive perëndimore vëmendjen nga ato që janë rrënjët e vërteta të problemit, pasi energjitë e tyre janë fokusuar te përpjekjet për të menaxhuar fluksin e parreshtur njerëzor.
Rusia e ka zgjedhur vet që të jetë kundërshtare e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë europianë, ndaj të cilëve, ajo përbën një kërcënim ekzistencial afatgjatë, tha Breedlove.
Moska, - shtoi ai, - është e etur ta zgjerojë pa diskutime influencën e saj në shtetet fqinje, e për këtë arsye edhe ka përdorur forcën ushtarake, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, Gjeorgjisë apo të tjerëve, si Moldavia.
