Maqedoni

“Lagjia e trimave” seanca shtyhet për 8 mars, avokatët mbrojtës dënohen pasi kërkojnë kushte

02.03.2016 14:00

Seanca gjyqësore për rastin Lagjia e Trimave, ku parashihej të dëgjoheshin katër dëshmitë e dëshmitarëve të prokurorisë, shtyhet më tetë mars...

Gjykata mori vendimin pasi tre avokatët mbrojtës, Naser Raufi, Bujar Dardhishta dhe Mefail Asllani që në fillim lëshuan seancën në mungesë të kushteve.
 
Ata kërkuan nga gjykata të sigurojë kushte për mbajtjen e seancës si për të akuzuarit, avokatët mbrojtës, gazetarët por edhe pjesëmarjen e familjarëve në seancë.
 
Gjykata gjithashtu i dënoi me nga 1 200 euro tre avokatët mbrojtës, me pretekstin se kanë prishur rendin dhe qetësinë duke fyer kështu gjykatën dhe ndikuar në prolongimin e seancës.
 
Madje avokatët Naser Raufi dhe Bujar Dardhishta detyrohen që të kompenzojnë gjitha shpenzimet e seancës së sotme.
 
Për avokatin Raufi dënimet janë të papranueshme. Ai këmbëngul që gjykata të ofrojë kushte për gjykim fer.
 
“Mbase ligji e parasheh që kjo të jetë seancë publike, dhe kjo nuk u mundësua dhe kishim premtime nga ana e trupit gjyqësor që të realizohen minimum parakushte ku do të jenë prezent edhe familjarët por sipas ligjit të ri për procedurë penale parashikohet që çdo avokat të jetë afër të akuzuarit, kjo nuk u mundësua dhe për këtë arsye ne bojkotuam seancën e sotme dhe nuk të vazhdojmë në seancë derisa nuk realizohen këto kushte që i kërkuam”, tha Naser Raufi, avokat mbrojtës.
 
Me tre avokatët solidarizohen edhe avokatët tjerë mbrojtës. Nëse nuk përmbushen kushtet edhe në seancën e rradhës asnjë nga avokatët mbrojtës nuk do të mer pjesë në seancë.
 
“Mjaft më me improvizim të kushteve në gjykatën Shkupi 1. Duam kushte dhe do të solidarizhemi me kolegët. Gjykata do të duhet t’i tërheq dënimet në të holla dhe kompenzimin e shpenzimeve që janë bërë për seancën e sotme për shkak se me të vërtetë nuk ka kushte për gjykim fer dhe korrekt të kësaj lënde të ndjeshme”, tha Lupço Veselinovski, avokat mbrojtës.
 
“Me të vërtetë habit fakti se si pas dy seancave në gjykatën supreme menjëherë ndërohen hapësirat me këtë hapësirë ku nuk ka vend në rend të parë për palën mbrojtëse dhe të akuzuarit e jo më për të tjerët. Nuk e di se pse mos të vazhdohet në gjykatën supreme në sallën e madhe”, tha Asmir Alispahiç, avokat mbrojtës.
 
Nga gjykata arsyetohen se nuk ka sallë tjetër për momentin përpos hapësirës në gjykatën Shkupi 1. Në sallë përpos të akuzuarve dhe avokatëve ishin prezent vetëm përhaqësues të OSBE-së, Komitetit të Helsinkut dhe ambasadës së Kosovës. Gazetarët edhe sot ndoqën zhvillimet gjyqësore nga biblioteka e gjykatës.
 
MERAL ISMAILI