Maqedoni
Institucionet nuk bashkëpunojnë, specialja kërkon ndryshim të kodit penal
02.03.2016 14:07
Disa institucione refuzojnë të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, përkatësisht nuk u përgjigjen kërkesave të sajë, prandaj Prokuroria Speciale...

Disa institucione refuzojnë të bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, përkatësisht nuk u përgjigjen kërkesave të sajë, prandaj Prokuroria Speciale, propozon ndryshimin e Kodit Penal dhe futjen e veprës së re penale – Pengim të drejtësisë.
“Duke e pasur parasysh këtë gjendje dhe obstruksionet në punën e kësaj prokurorie, Prokuroria Speciale, propozon ndryshimin e Kodit Penal dhe futjen e veprës së re penale – pengim të drejtësisë, e cila do të jetë në krye të veprave penale kundër gjyqësorit”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Speciale.
Si institucione që nuk bashkëpunojnë me prokurorinë speciale përmenden, “Agjencia e Kadastrës, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, gjegjësisht departamenti për mbështetje tekniko-operative, Njësia për mbrojtjen e dëshmitarëve e MPB-së, Komuna e Manastirit, Ministri të caktuara, Gjykata Administrative, Prokuroria Publike e Shkupit dhe Prokuroria për ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”.
Nga Prokuroria Speciale poashtu njoftojnë se kanë filluar 15 procedura parahetimore, të cilat janë në lidhje me financimin e mediumeve, keqpërdorimin e procedurave për prokurim, larje parash, korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, hetime financiare, keqpërdorim të procedurave për punë ndërtimore etj.
“Dëshirojmë të njoftojmë se në rrjedhë janë edhe procedura tjera parahetimore që po zhvillohen në këtë prokurori publike. Ajo që mund ta njoftojmë për momentin është se në një procedure parahetimore, me urdhër të gjykatësit, janë marr lëndë që mund të shërbjenë si dëshmi në procedure penale dhe kjo procedure parahetimore vazhdon”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, nga e cila thonë se detajet për këto procedura do të bëhen publike së shpejti.
GJYLTENE SINANI
