Botë

Kriza e refugjatëve, Shqipëria në gadishmëri, po ende pa plan pranimi

02.03.2016 15:03

Pikat e kalimit kufitar në Shqipëri janë vënë në gjendje gatishmërie, nga frika e dyndjes së refugjatëve...

Burime nga Ministria e Brendshme tregojnë se po mbikëqyren rreptë 5 pika doganore në jug të Shqipërisë.

Janë rreth 450 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë vendosur në pikat doganore të “Qafë-Thanës”, “Kapshticës”, ”Tre Urat”, ”Kakavijës” dhe “Qafë-Botës”, të cilët janë në gatishmëri dhe mbikqyrin situatën në kufi.

Këto struktura të specializuara për menaxhimin e turmave, janë transportuar në kufirin jugor nga repartet e Forcës së ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, Fierit dhe Shkodrës.

Ndërkohë në mbështetje të FNSH-së janë dhe strukturat e Drejtorisë së Kufirit, të cilat gjatë kësaj kohe kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritetet greke, për të mësuar lëvizjen e karvaneve të emigrantëve sirianë.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për mbajtjen e situatës në kontroll nëpërmjet patrullimeve të policisë përgjatë 24 orëve.

Këta efektivë janë vendosur kryesisht zonën e gjelbërt të kufirit, me qëllim evidentimin e çdo rasti të shkeljes së kufirit nga ana e emigrantëve sirianë. Këto masa merren në kuadër të sigurimit të kufinjve, pasi shumë vende të Ballkanit, kanë vendosur të mbyllin kufijtë e tyre me Greqinë.

Edhe pse, Shqipëria ka hapur 3 ambjente për pritjen e refugjatëve, duke përshtatur hapësirat e reparteve ushtarake, sërish nguron për pritjen e refugjatëve. Kjo pasi dhe vetë Bashkimi Evropain, nuk ka dalë me një vendim konkret, për mbështetjen financiare.