Botë

BE, plan emergjent për emigrantët, 700 milion euro ndihma në 3 vite

02.03.2016 15:31

Bashkimi Europian po përgatitet të shpenzojë qindra miliona euro në ndihma humanitare, ndërsa Greqia po përpiqet të përballojë fluksin e paprecedentë të refugjatëve...

Sipas planeve, fondet e BE-së mund të dislokohen brenda Europës, në të njëjtën mënyrë me të cilën ato përdoren për të ndihmuar në zbutjen e krizave jashtë bllokut. 
 
Plani që do të miratohet nga Komisioni Euriopian, u mundëson agjencive europiane të ndihmës që të punojnë për të parën herë drejtpërdrejt me OKB-në dhe grupet e tjera brenda Europës, në vend që të disbursojnë parà për shtetet anëtare të veçanta.
 
Zyrtarët e BE-së thonë se, plani i ndihmës do të siguronte 300 milionë euro këtë vit, në ndihmë të çdo shteti që përballet me krizën e emigrantëve.
 
Në total, 700 milionë euro do të jenë në dispozicion gjatë 3 viteve. Sidoqoftë, edhe nëse fonde të tilla do të mund të akordohen shpejt, BE përballet sërish me nevojën e ndaljes së fluksit të të ardhurve të rinj.
 
Kjo do të kërkonte një bashkëpunim më të mirë me Turqinë. Greqia i ka kërkuar Komisionit Europian rreth 500 milionë euro ndihma, për rreth 100 mijë azilkërkues. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI