Botë

OKB zgjeron sanksionet ndaj Penianit, Korea e Veriut lëshon predha në det

03.03.2016 11:25

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vendosur unanimisht sanksione të reja të ashpra ndaj Koresë së Veriut për shkak të testit bërthamor të muajit të kaluar...

Sanksionet e reja të OKB-së janë cilësuar si më të ashprat të vendosura ndonjëherë ndaj Koresë së Veriut. 
 
“Sot, bashkësia ndërkombëtare i ka dërguar një mesazh Penianit: Koreja e Veriut duhet të braktisë këto programe të rrezikshme dhe të zgjedhë një rrugë më të mirë për popullin e saj”, tha Barak Obama, President i SHBA-ve.
 
“Qeveria jonë në bashkëpunim me vendet e tjera, do të bëjë gjithcka që të detyrojë Korenë e veriut, të heqë dorë nga program I saj bërthamor, ti japë fund tiranisë dhe shkeljes së të drejtave në njeriut atje”, tha Park Geun-Hye, President i Koresë së Jugut.
 
Por deklaratat dhe sanksionet  nuk e kanë frikësuar Penianin, përkundrazi. Vetëm pak orë pas lajmit për zgjerimin e sanksioneve, Koreja e Veriut ka lëshuar disa predha me rreze të shkurtër në det, njoftoi Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut. Vetë banorët atje janë të bindur se qeveria e tyre ëhstë në rrugë të drejtë dhe perëndimi e ka gabim.
 
“SHBA-të dhe forcat e tjera, po përpiqen përmes sanskioneve të pengojnë programin tonë të suksesshëm bërthamor. Por ne nuk kemi frikë nga sanksionet. Ju vetë mund të shikoni në fabrikën tonë që ne vetë prodhojmë gjithcka për të cilën kanë nevojë qytetarët tanë”, tha Ri Ro Nam, inxhiner tekstilesh.
 
“Sanksionet nuk na frikësojnë sepse kemi një gjysëm shekulli që jetojmë me sanskionet e OKB-së. ne do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë , do të vazhdojmë zhvillimin e shoqërisë sonë”, tha Song Hyo, banor i Pjongjangut.
 
Sanksionet parashikojnë kufizimin e eksporteve dhe inspektimin e të gjitha ngarkesave që hyjnë dhe dalin nga shteti komunist. Gjithashtu në sanksionet e reja përfshihet edhe bllokimi i aseteve dhe ndalimet e udhëtimeve për 16 individë dhe 12 organizata koreane.
 
BELINDA KOKA-ADEMI