Maqedoni
Kufiri Maqedoni –Greqi, situata e tensionuar
03.03.2016 17:18
Lotë, ulurimë dhe mesazhe për ndihmë vazhdojnë të degjohen mbi qiellin e zonës ndërkufitare në Idomeni mes Maqedonisë dhe Greqisë...

Situata është tejet e tensionuar. Refugjatët e shumtë të arritur në këtë zonë kufitare mbeten të dëshpëruar për shkak mos lejimit të tyre për të shkuar në vendet e zhvilluara të BE-së.
Këtu, gjithçka më nuk është si më parë. Pamjet janë gjithënjë e më rrënqethëse. Orë e çast rritet numri i refugjatëve, dhe nuk ka sinjale se tendet improvizuese këtu do të boshatisen shpejt.
Informacionet e fundit tregojnë se në Idomeni ndodhen mbi 12 mijë refugjatë, ndërsa rreth 20 mijë të tjerë ndodhen në teritorin e Greqisë dhe presin për t’iu afruar kufirit me Maqedoninë.
Grupe emigrantësh disa herë protestuan në mënyrë paqësore kundër procesit shumë të ngadalshëm të hyrjes në Maqedoni. Durimit të tyre po i vjen fundi.
Ndërkohë në portin e Piresë kanë mbërritur rreth 600 refugjatë të tjerë. Autoritet e greke bëjnë me dije se Greqia është duke punuar për të ndërtuar 150 mijë tende për pranimin e refugjatëve nga Lindja e Mesme.
Komunikacioni hekurudhor herë pas here në Greqi dhe Maqedoni u bllokua nga refugjatet e vendosur në binarë. Ata për çdo ditë shpresojnë se e nesermja nuk do t’i gjeje në vendin e bllokuar.
Por fatkeqësisht autoritet e Maqedonisë edhe sot lëshuan vetëm disa qindra refugjatë. Përmes Maqedonisë tranzituan rreth 500 refugjatë nga Siria dhe Iraku.
Një numër i madhë i pjestarëve të ARM-së dhe të policisë janë duke e ruajtur kufirin jugor me Greqinë. Kampet e pranimit në Gjevgjeli dhe Tabanocë nuk kanë kapacitet për të pranuar shumë refugjatë.
Liderët evropiane parashikojnë se ky trend do të vazhdojë edhe ditëve në vijm.
REXHEP QAMILI
