Botë
Refugjatët, Tusk përgatitet për bisedime me Erdoanin
04.03.2016 10:50
Një ditë pasi paralajmëroi nga Greqia emigrantët që t’i qëndrojnë larg Europës, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, përgatitet për bisedime me kreun e shtetit turk Rexhep Taip Erdoan...

Blloku tashmë i ka hedhur të gjithë shpresat tek Ankaraja për frenimin e fluksit njerëzor drejt Kontinentit të Vjetër. Tusku një ditë më parë ngriti dhe idenë e dërgimit mbrapsht me anije të emigrantëve që mbërrijnë në shtetin helen nga Turqia, sepse vetëm kështu, tha ai, do të goditet modeli i biznesit të trafikantëve.
“Mos u besoni trafikantëve. Mos rrezikoni jetët dhe paratë tuaja, sepse nuk ka asnjë vlerë”, u shpreh Tusk.
Presidenti i Këshillit Europian është angazhuar në një aktivitet të intensifikuar diplomatik përpara samitit BE-Turqi që mbahet të hënën. Me mijëra refugjatë dhe emigrantë vazhdojnë të mbërrijnë çdo ditë në ishujt grekë nga brigjet turke, por qëllimi i tyre për të mbërritur destinacionet e preferuara në veri të Europës tashmë frenohet nga kontrollet e shtuara kufitare.
Mbi 25.000 vetë janë aktualisht të bllokuar në kufirin grek me Maqedoninë, çka rrit frikën e një krize humanitare./Top Channel
