Maqedoni
Raporti i shërbimit sekret italian: Ballkani rruga e re, frikë për terrorizëm
04.03.2016 12:27
Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shërbejnë si rruga alternative e refugjatëve nga vendet e lindjes drejt Bashkimit Evropian...

Vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shërbejnë si rruga alternative e refugjatëve nga vendet e lindjes drejt Bashkimit Evropian, pas mbylljes së kufirit Greqi-Maqedoni ndërsa shtete të tjera kanë vendosur kuota ditore për pranimin e emigrantëve.
Në një raport të detajuar për politikën e informacionit për sigurinë në Itali, theksohet se refugjatët duket se e kanë gjetur rrugën alternative për të udhëtuar drejt Evropës.
Në këtë raport, në kapitullin “Dosieri për emigrantët”, theksohet se nga Turqia, emigrantët mund të mbërrijnë përmes detit në ishujt grekë (Kos, Leros, Symi, Lesbos, Kios, Samo etj” në pritje për të vazhduar më pas në rrugë tokësore, përmes vendeve të Ballkanit perëndimor, drejt Italisë.
Në raport theksohet gjithashtu fakti që vendet e Ballkanit perëndimor vuajnë nga kriza politiko-ekonomike dhe nuk i kanë mundësitë e akomodimit e pritjes së qindra mijëra emigrantëve, pasi nuk ka aq kapacitete.
Por për shërbimet e inteligjencës italiane, problem është edhe mundësia dhe frika e krijimit të formacioneve terroriste. Italia i trembet në këtë mënyrë mundësisë që terroristët mund të sigurojnë dokumente false, që do t’i lejonin më pas luftëtarët dhe militantët, të hynin në vendet e BE dhe të bashkoheshin me milicitë islamike.
Në këtë mënyrë, duket se skenarët që ngrihen nga agjencia e inteligjencës italiane janë dy, që nënvijëzojnë edhe rreziqet për destabilizimin potencial për Evropën, kryesisht për ngritjen atje të bazave logjistike, të afta për të prodhuar e planifikuar sulme terroriste në Evropë.
Jugu i Italisë është përballur në gjysmën e dytë të vitit të shkuar me një fluks të shtuar të emigrantëve nga lindja e mesme. Tashmë fqinji ynë, sipas mediave italiane, ka nisur të përgatitet për të përballuar një fluks të mundshëm emigrantësh.
Ndonëse ministritë e brendshme të dhe të mbrojtjes nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht, në Brindisi dhe Bari janë dërguar forca ushtarake.
