Tiranë: Miratohet me konsensus dekriminalizimi
Mazhoranca dhe opozita shqiptare materializuan me votë pro konsensusin e arritur më herët në lidhje me aktet nënligjore për ligjin e dekriminalizimit...

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ia faturoi opozitës të gjitha vonesat për miratimin e këtij ligji.
“Nuk mund të qëndrojmë në këtë sallë pa largimin e deputetëve që vjedhin fondet publike duke përdorur statusin e deputetit”, është shprehur deputeti demokrat Eduard Halimi, duke bërë të ditur edhe vendimin e opozitës për të lënë sallën e Kuvendit.
Pas fjalës së Halimit demokratët u larguan nga salla e Kuvendit.Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka kritikuar veprimin e fundit të opozitës për t'u larguar nga Kuvendi fill pas votimit të dekriminalizimit, por tha se kërkesat e tyre do të shqyrtohen një për një.
“Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të ndërtuar raporte konstruktive, dhe besoj që dhe opozita është në frymën e Venecias, është për reformën në drejtësi. Të gjitha kërkesat e pretendimet e saj për çështje të caktuara do të shqyrtohen në bazë të rregullores së fundit. Besoj që ekzistojnë të gjitha premisat dhe mundësitë që të punojmë së bashku për reformën në drejtësi dhe të gjitha reformat që kërkon vendi”, tha Meta.
