Turqi, policia bastis zyrat e gazetës “Zaman”

05.03.2016 22:27

Pas bastisjes dhe marrjes nën kontroll nga shteti të gazetës më të madhe kritike “Zaman”, policia ka nxjerrë me dhunë gazetarët nga zyrat e tyre ndërsa protestuesve dhe mbështetësve i është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji...

Drejtuesit dhe gazetarët këtë veprim të qeverisë së Erdoanit e cilësuan si përpjekje për të heshtur zërin e fundit kritik dhe si fund i demokracisë. Një ditë më parë gjykata pa dhënë shpjegime vendosi që gazeta “Zaman”, e cila ka një tirazh prej rreth 650 mijë copash, të drejtohet nga administratorët e shtetit. Vendimi i tillë, nxiti kritika të ashpra ndërkombëtare. Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se veprimi i Qeverisë turke ndaj gazetës është shqetësues.

Ndërkohë, komisioneri për zgjerim Johanes Han ka theksuar se zhvillimet e fundit ndaj gazetës “Zaman” dëmtojnë progresin e shënuar në të gjitha fushat e tjera”.

Ky veprim kundër “Zaman”-it vjen pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese e Turqisë ka urdhëruar lirimin nga paraburgimi të dy gazetarëve turq, të akuzuar për zbulim të sekreteve shtetërore. Por vendimi i tillë ishte cilësuar i padrejtë nga Presidenti Erdogan.