Ilir Latifi mes gjigandëve të MMA-së, triumfon në Las Vegas

06.03.2016 18:51

Në mbrëmjen e djeshme të UFC-196 të zhvilluar në Las Vegas është ngjitur në oktagon edhe sportisti i MMA-së, Ilir Latifi, suedezi me origjinë shqiptare, që në karrierën e tij në Artet Marciale Mikse ka zhvilluar 17 duele, fituar 12 prej tyre (5 me KO), humbur 4 dhe barazuar 1....

Por mbrëmë ai ka zhvilluar një sfidë të mrekullueshme, duke mundur me vendim unanim të gjyqtarëve amerikanin Gian Villante, një përballje me 3 raunde e ku epërsia e Latifit ka qenë e dukshme.

Grushtet e fuqishme të Latifit gjatë 15 minutave të këtij dueli kanë qenë të shpeshta, duke mos i dhënë asnjë mundësi rivalit amerikan të fitojë. Jo ratësisht Ilir Latifi ishte përzgjedhur për të dueluar në këtë mbrëmje magjike të UFC-196, ku ishin edhe sfidat McGregor-Diaz e Holm-Tate.

Drejtuesit e UFC-së janë të bindur për aftësitë e Latifit, tashmë 32-vjeçar dhe që shpreson në të ardhmen të duelojë për titull.