Fitojnë Cleveland e San Antonio, “kërcënojnë” Golden State
Sezoni i rregullt sportiv i NBA-së i afrohet fundit, ndaj dhe emocionet sa vijnë e shtohen në kampionatin më të bukur në botë në basketboll....
Cleveland ka triumfuar 120-103 ndaj Boston, duke kapur shifrën e 44 fitoreve. LeBron James bëri diferencën në fushë, duke realizuar 28 pikë e 11 rebaund, por e gjithë skuadra e Cavaliers bëri një ndeshje të mirë (8 lojtarë realizuan mbi 10 pikë). në Konferencën e Lindjes fiton edhe New York, që mundi 102-89 Detroit, një duel mes ekipesh që synojnë zonën e play off-it. Mbrëmje e mirë e Carmelo Anthony, që e mbylli takimin me 24 pikë e 10 rebaund, mbështetur edhe nga Lopez me 21 pikë e Affalo me 20.
Triumfon edhe Chicago, 108-100 ndaj Houston, dy ekipe që këtë sezon kanë zhvilluar ndeshje me hope. Veterani Pau Gasol me 28 pikë e 17 rebaund ishte lider në fushë për Bulls, mbështetur edhe nga Rose me 24 pikë, që fituan duelin me Harden, që realizoi 36 pikë për Houston. Jashtë fushe fiton edhe Utah Jazz, 106—95 ndaj New Orleans, duke korrur një fitore që mban gjallë shpresat për një vend në play off. Favors dhe Hayward realizuan së bashku 52 pikë për Jazz. Fiton edhe Minnesota, 132-118 ndaj Brooklyn, ku diferencën e bëri dyshja Towns-Wiggins, që realizuan 54 pikë së bashku.
Në Perëndim, vijon momenti i mirë i San Antonios, ndjekësja më e afërt e Golden State, që triumfoi 104-94 ndaj Sacramentos, ndeshje e komanduar nga skuadra vendase. Kjo është firtorja e 30-të radhazi e Spurs në shtëpi, ku u dalluan Leonard me 25 pikë e Ginobili me 22 pikë. Surprizon Atlanta, që triumfoi 107-97 në fushën e Clippers, që me këtë humbje rrezikojnë vendin e tretë në Perëndim. Teague me 22 pikë e Millsap me 20 pikë e 18 rebaund bënë diferencën në fushë për miqtë, që fituan ndaj kolektivitetit të Clippers. Në sekondat e fundit fiton Indiana, 100-99 ndaj Washington, falë gjuajtjeve të lira të George (38 pikë).