Hirscher dominon te meshkujt, Shiffrin te femrat
Skiatori austriak, Marcel Hirscher, shënoi fitoren e dytë më radhë brenda dy ditëve në Qendrën e Skive në Kranjska Gora të Sllovenisë...

Ai tregoi paraqitje shumë të mirë në disiplinën e sllallomit në Kupën e Botës. Hirscher arriti i pari në shteg me kohë të kaluar për 1:46.24 minuta, por që kishte kohën për 81 qindtat më të mirë se vendi i dytë, norvegjezi Henrik Kristoffersen.
Italiani Stefano Gross arriti në podium përkatësisht në vend të tretë, por me një kohë më të ngadalshme për një sekondë e 11 qindtat se pozita e parë. Në renditjen e përgjithshme të sllallomit, Kristoffersen udhëheq me 811 pikë, pasojnë Hirscher me 700 sosh, gjermani Neureuther (363), italiani Gross (345).
Ndërkaq, në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Hirscher, kryeson me 1.625, por në fakt ka siguruar titullin, që është i pesti më radhë. Në vend të dytë është Kristoffersen me 1.272 pikë.
Te femrat, Në Jasna të Sllovakisë, Mikaela Shiffrin, ishte më e mirë se kundërshtaret. Amerikania pati një paraqitje të shkëlqyeshme në disiplinën e sllallomit, duke e zënë vendin e parë me kohë të kaluar për 1:55.60 minuta.
Shiffrin ishte aq e mirë sa e dëshmon edhe koha më e shpejt e saj për dy sekonda e 36 qindtat se pozita e dytë, zvicerania Wendy Holdener dhe dy sekonda e 77 qindtat se sllovakja Veronika Zuzulova.
Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, amerikania Lindsey Vonn udhëheq me 1.235 pikë, pasojnë zvicerania Lara Gut (1.207) dhe skiatorja gjermane Viktoria Rebensburg (914), ndërsa në slalom, suedezja Frida Hansdotter kryeson me 651, që përcillet nga Velez Zuzulova (546).
