Futboll
MLS, Gashi debuton me humbje
07.03.2016 11:40
Debutim me humbje për Shkëlzen Gashin në Major League Soccer...
Colarado Rapids me sulmuesin shqiptar në fushë u mund në ndeshjen e javës së parë 1-0 nga San Jose Earthquakes.
Edhe pse dominoi gjatë gjithë takimit një gol i Wondolowskit pak sekonda pas fillimit të pjesës së dytë ndëshkoi Colorado Rapids që tashmë duhet të mendojë për ndeshjen e radhës ndaj Los Angeles Galaxy.
Gashi, i cili u transferua nga Baseli te skuadra e trajnerit Pablo Mastroeni në merkaton e Janarit, e nisi si titullar sfidën e zhvilluar në “Avaya Stadium” të San Jose-së duke qenë një nga lojtarët më aktivë në fushë.
27-vjeçari shqiptar pati dy mundësi të mira për gol në këtë ndeshje, por pa arritur dot të gjejë rrugën e rrjetës që në debutimin e tij në Major League Soccer.
Në minutën e 55-të Gashi me një krosim të rrezikshëm drejt zonës vendosi në panik mbrojten e San Jose Earthquakes ndërkohë që pak sekonda përpara se të zëvendësohej nga loja provoi me një goditje të fortë nga limitet e zonës por pa gjetur dot kuadratin e portës.
Në minutën e 67-të futbollisti i Kombëtares Kuqezi u largua nga fusha duke i lënë vendin argjentinasit Solignac.
Në përfundim të sfidës Shkëlzen Gashi bëri një postim në Twitter duke komentuar debutimin e tij në Major League Soccer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
”Sot nuk mundëm të fitonim, por si skuadër bëmë një paraqitje të shkëlqyer”, shkruan Gashi në Twitter, i cili në fund të fjalës së tij fton tifozët e Colorado Rapids të jenë sa më të shumtë në numër në ndeshjen e ardhshme që skuadra e sulmuesit shqiptar do të luajë në shtëpi ndaj Los Angeles Galaxy.