Sulm në Pakistan, 10 viktima, 30 të plagosur, mes viktimave 2 fëmijë

07.03.2016 14:56

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi kamikaz në veriperëndim të Pakistanit...

Sipas policisë, në mesin e viktimave ndodhen katër gra dhe dy fëmijë.

Ngjarja ndodhi në afërsi të një gjykate në Shabqadar, rreth 150 kilometër larg kryeqytetit Islamabad. Kamikazi ka tentuar të hyjë në brendësi të kompleksit, por në momentin që policia ka tentuar ta ndalojë, ai ka hedhur vetën në erë.

Militantët pakistanezë thanë se sulmi në gjykatë ishte hakmarrje për varjen e një njeriu të dënuar për vrasjen e një politikani të shquar liberal në 2011, i cili kishte bërë thirrje për reformimin e ligjeve që dënojnë blasfeminë.

Sulmi shkaktoi shumë dëme në ndërtesat aty afër, por edhe disa makina të parkuara në afërsi të gjykatës u dogjën. Policia por edhe forca të ushtrisë rrethuan zonën teksa hetuesit kanë marrë në pyetje dëshmitarët në vendin e ngjarjes.

Ligjet janë në qendër të një përplasje ideologjike ndërmjet reformatorëve dhe konservatorëve fetarë në Pakistan. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se ligjet mund të keqpërdoret nga njerëzit gjë e cila ka shkaktuar konflikte tek pakicat fetare të Pakistanit.