Samiti BE-Turqi, përçarje ende pa nisur për itinerarin Ballkanik

07.03.2016 14:59

Samiti vendimtar BE-Turqi nisi në Bruksel me shpresën t’i gjejë një zgjidhje krizës më të madhe të refugjatëve, me të cilën është përballur ndonjëherë blloku europian...

Por, ajo që u paralajmërua si pika kyçe e takimit, kërkesa për mbylljen e itinerarit ballkanik, mbolli përçarje që në fillim.

Një projektdeklaratë la të kuptohej se, rruga e përshkuar deri më tani nga refugjatët, në përpjekjet për të mbërritur destinacionet e tyre në veri të Europës, duhet mbyllur sa më parë. Por qeveria gjermane nuk është dakord, e të tilla njoftime i hodhi poshtë si “spekulime të pastra”. Nuk është e mundur që të mbyllet diçka e tillë - tha Angela Merkel, me të mbërritur në Bruksel.

Vëmendja në këtë samit po përqëndrohet te bashkëpunimi me Ankaranë, nga e cila pritet ndihmë në uljen e numrit të refugjatëve të rinj, që hyjnë në Greqi. Si shpërblim janë planifikuar ndihma miliarda euroshe dhe liberalizimi i vizave për Turqinë, që duhet të pranojë mes të tjerash shumë më tepër emigrantë të kthyer mbrapsht, të cilët nuk gëzojnë të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare.

Më herët, Presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk u shpreh optimist për rezulatin e samitit, por mosmarrëveshjet e shfaqura - që pa nisur mirë bisedimet, - tregojnë se arritja e konsensusit mund të mos jetë e lehtë.