Basketboll
Golden State rikthehet te fitorja, zhgënjejnë Cleveland e San Antonio
08.03.2016 11:04
Golden State rikthehet me rekorde pas humbjes me Los Angeles Lakers...
Skuadra nga Oakland me suksesin 119-113 ndaj Orlando Magic koleksionoi fitoren e 45-të radhazi në shtëpi, duke thyer rekordin e Chicago Bulls që në sezonin 1995-96 ishte ndalur në 44 fitore të njëpasnjëshme.
Ylli i Golden State, Stephen Curry, i cili realizoi 41 pikë, 3 asist si dhe 13 kërcime, u bë basketbollisti i parë që arrin 300 trepikësha brenda një sezoni, edhe pse kanë mbetur edhe 20 ndeshje për t’u luajtur.
Përballje dramatike mes Cleveland Cavaliers dhe Memphis Grizlies, që u vendos nga katër gjuajtje të lira të Tony Allen pak sekonda para rënies së sirenës për përfundimit të takimit. 103 – 106 ishte rezultati përfundimtar i kësaj sfidë të fituar nga Memphis, edhe pse nuk kishte në dispozicion katër lojtarë të formacionit të parë.
LeBron James edhe pse rezultoi më i miri në parket me 28 pikë, 5 asist dhe 9 ribaund, nuk mundi ta shmangte humbjen e Cavaliers, që gjithsesi mbeten në krye të Konferencës së Lindjes.
Monta Ellis realizoi 26 pikë dhe Paul Gorge shtoi 23 të tjera për t’i dhuruar Indiana Pacers suksesin 99-91 ndaj San Antonio Spurs, që ndërpret serinë prej 8 fitoreve radhazi. Kawhi Leonard dhe LaMarcus Aldridge shënuan nga 23 pikë secili në një mbrëmje jo të mire për teksanët.